Pipero i frikësohet hapjes së Shqipërisë gjatë COVID-19: Mos harroni distancën!

“Virusi vazhdon të qarkullojë, dhe është e domosdoshme të ruajmë distancën fizike 1.5-2 metër…”

Një nga emrat e njohur të shëndetësisë shqiptare, doktor Pëllumb Pipero, i ftuar në “Open” foli për disa rregulla që duhen pasur parasysh gjatë hapjes së vendit. Sipas tij, rreziku më i madh ka të bëjë me kontaktet fizike të njerëzve.

“Unë besoj që përgjithësisht çedohet te dëshira e njerëzve për të ndaluar dhe të bëhen 3-4 veta bashkë dhe të bëjnë muhabet.

Ky është momenti më i keq për të transmetuar sëmundjen, sepse nëse njëri nga ne e ka, infekton të tjerët.

Ndaj është shumë e rëndësishme distanca fizike. Pra ndalojnë 3-4 veta dhe bëjnë muhabet. Por virusi mund të transmetohet dhe nga spërklat më të vogla”, tha Pipero.

Mjeku po kështu këshilloi qytetarët që maskat dhe dorezat të mbahen në ambiente publike dhe urban, por jo kur qytetarët ecin rrugës.

“Virusi vazhdon të qarkullojë, dhe është e domosdoshme të ruajmë distancën fizike 1.5-2 metër. Dhe në ambientet publike dhe në transportin urban duhen maska.

Unë them maskat dhe dorezat rrugës nuk duhet të mbahen, nuk është e nevojshme. Unë vetë shikoj njerëz rrugës, ecin burrë e grua me maska e doreza. Edhe i kam ndaluar; ju kam thënë pse i mbani?! Është e kot”.


Shtuar 12.05.2020 19:41