Përdoret nga forcat speciale: Kjo është arma me të cilën u ekzekutua Hekuran Billa

Policia ka gjetur të paktën 15 gëzhoja në vendin ku u ekzekutua mbrëmë në mënyrë mafioze 40 vjeçari Hekuran Billa.

11 prej plumbave të lëshuara nga arma e përdorur prej atentatorëve kanë qëlluar makinën dhe trupin e tij duke mos i lënë asnjë shans për t’i mbijetuar atentatit.

Abcnews.al shkruan se gjatë atentatit është përdorur një armë automatike MP5 me silenaciator. Kjo e fundit përdoret edhe nga Garda e Republikës dhe konsiderohet armë mjaft e saktë dhe e fuqishme për luftim të afërt.

Arma në fjalë përdoret edhe nga forcat speciale në vende të ndryshme të botës dhe ka një reputacion mjaft të mirë për precizionin dhe qendrueshmërinë e saj.

MP5 prodhohet nga gjigantët gjermanë të “HECKLER & KOCH Group”, ndërsa dyshohet se versioni i përdorur në atentatin e mbrëmshëm është ai MP5SD, e cila ka të vendosur edhe një silenciator që shuan zhurmat, shkruan abcnews.al.

Versioni “SD” i MP5 konsiderohet si më precizi i kësaj kategorie armësh të përdorur nga forcat speciale kryesisht për operacionet e natës.

Ky ka qenë edhe shkaku se përse askush nuk dëgjoi krismat e armës në momentin kur u ekzekutua mbrëmë Hekuran Billa.

Pista kryesore e ngjarjes është e ajo e hakmarrjes për shkak se në vitin 2006, ai kishte vrarë 22-vjeçarin Prel Marku në Angli ku qëndronte si emigrant.

Billa u ekstradua nga Anglia në Shqipëri për të vuajtur dënimin, për t’u liruar një vit më parë nga burgu i Fushë Krujës.

Viktima dyshohet se u vëzhgua edhe nga një makinë tjetër krahas asaj të autorëve, të cilët e qëlluan në momentin kur ai po parkonte makinën për të marrë të motrën.

Dyshohet ekzekutimi i tij u bë nga vrasës me pagesë, nisur edhe nga precizioni i kryerjes së krimit, por edhe infrastruktura, siç ishte vjedhja e targave apo makinës, të përdorura në krim.


Shtuar 12.06.2020 08:19