Pëllumb Pipero: Virusi nuk ka fasha orari, muzika të shëron si dielli!

Mjeku Pëllumb Pipero ka folur për vendimin për mbylljen e bareve dhe lokaleve të natës si dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00.

Pipero tha se virusi nuk ka fasha orari dhe muzika nuk dëmton por shëron ashtu si edhe dielli. Mjeku theksoi se problemi te lokalet e natës qëndron te fakti se qytetarët kërcejnë afër njëri-tjetrit dhe mund të përhapin virusin.

“Virusi lëviz me ne, sa kohë lëvizim në 7 ditët e javës virusi do të lëvizë me ne. Virusi nuk ka fasha orari. Unë besoj se ndalimi i funksionimeve të klubeve të natës dhe muzikës, nuk është qëllim në vetvete, por ka për objektiv frenimin e qarkullimin e virusin mes të rinjve që frekuentojnë lokalet e natës.

Muzika njëlloj si dielli, si ajri, apo mjedisi i hapur shëron. Problemi është se të rinjtë nuk e kanë kuptuar që janë transmetues të heshtur, pasi nuk sëmurën kur infektohen, por e transmetojnë virusin.

Të gjitha lokalet dhe baret, si ditën ashtu edhe natën, duhet të respektojnë protokollet e sigurisë. Klubi i natës është për argëtim. Nuk mund të kërcejmë 2 metra larg njëri-tjetrit. Kjo është e dobishme për të frenuar përhapjen e virusit”, nënvizoi ai në Rtv Ora.


Shtuar 21.07.2020 19:24