Nisin hetimet për videon ku pinte kokainë, sa vite burg rrezikon Lefter Alla?

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka nisur tashmë hetimin për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla pas publikimit nga gazetari Artan Hoxha në Abc News duke konsumuar lëndë narkotike në ambiente publike.

Abcnews.al raporton se hetimi është nisur në kuadër të nenit 283 i Kodit Penal për “Prodhim të shitje të lëndëve narkotike”.

Mësohet se nëse gjendet fajtor, Alla mund të dënohet nga 5 deri në 10 vite burg.

Mësohet se SPAK do të hetojë se ku e ka gjetur Alla kokainën, si edhe do të merren në pyetje pronarët e lokalit dhe personat që gjendeshin aty në ato momente. SPAK do të pyesë gjithashtu edhe bashkëpunëtorët e afërt që dyshohet se mund të kenë dijeni se Alla përdorte lëndë narkotike.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi videon e Lefter Allës duke thithur kokainë në ambiente publike.

Gazetari theksoi se është kërcënuar me jetë për të mos publikuar videon, ndërsa i bëri thirrje policisë që të tregojë kujdes ndaj disa elementëve kriminalë në Bulqizë.


Shtuar 23.01.2020 11:05