OBSH: Koronavirusi nuk do zhduket me temperaturat e ngrohta

Organizata Botërore e Shëndetit thotë se zhdukja e koronavirusit në verë mund të jetë një “shpresë false”.

Më parë, autoritetet shëndetësore në Amerikë thanë se ekzistonte një hipotezë që virusi të ishte sezonal dhe kushtet e ngrohta atmosferike mund ta mposhtnin.

“Shpresojmë ta mundë. Do të ishte një dhuratë nga Zoti. Por nuk mund ta bëjmë këtë supozim sepse nuk ka asnjë provë. Është shpresë e rreme nëse themi se do të largohet njësoj si ftohja”, tha Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të emergjencës në Organizatën Botërore të Shëndetit.

Sipas OBSH, numri total i të prekurve nga koronavirusi në nivel global ka tejkaluar shifrën 100 mijë. Pjesa më e madhe e rasteve janë në Kinë, Kore të Jugut, Iran dhe Itali.

“Ky është virus i veçantë me karakteristika të veçanta. Ky virus nuk është si ftohja. Ne jemi në një territor të paeksploruar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.


Shtuar 7.03.2020 16:05