Nuk është më Tirana, ky qytet kryeson me numrin më të lartë të të prekurve me COVID-19

“Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë…”

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive.

Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës:

Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij.

Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, të respektoni distancën, dhe kurdo kur kjo nuk është e mundur, përdorni maskë. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.


Shtuar 24.06.2020 09:53