Mjekët paralajmërojnë katastrofën, ç’ po ndodh në kampin grek ku janë ”ngujuar” mijëra vetë (FOTO LAJM)

Vendet e BE po përpiqen të ngadalësojnë përhapjen e virusit Corona, e dhjetëra mijëra refugjatë kanë mbetur të ngujuar në Greqi. Mjekët paralajmërojnë katastrofën – për refugjatët dhe grekët.

Në kohën e virusit Corona, distanca fizike mes njerëzve mund të shpëtojë jetën. Për më shumë se 20.000 refugjatë në Moria të Greqisë kjo është e pamundur. Ata nuk kanë mundësi të mbajnë distancë mes vete. Kampi në Moria është menduar në fillim për 3000 persona, por me kalimin e kohës, numri është shtuar nga dita në ditë.

Këtu janë vendosur tani refugjatë nga vende të ndryshme, në një hapësirë shumë të vogël dhe në kushte shumë të rënda për jetë. Shumica vijnë nga Afganistani, por ka edhe njerëz nga Siria dhe Afrika. Me qindra persona ndajnë vetëm një WC, më shumë se 1000 furnizohen nga i njëjti burim uji. Për larje të mirë duarsh nuk mund të bëhet as fjalë.

Kushtet higjenike në Moria janë shumë të këqija. Një Iniciativë e mjekëve holandezë kërkon që ky kamp, si dhe kampet tjera të stërmbushura në Greqi, të evakuohen menjëherë. Vetëm kështu mund të shpëtohet një katastrofë e përmasave të mëdha. Më shumë se 5000 mjekë në mbarë Evropën i janë bashkuar ndërkohë kërkesës #SOSMoria në rrjetet sociale.

Shumë banorë të kampit kanë sëmundje të tjera

Steven van der Vijver dhe Sanne van der Kooij janë iniciatorë të kësaj thirrjeje. Ata të dy para pak kohësh kanë qenë në kampin Moria dhe kanë trajtuar pacientë. Van der Vijver, një mjek nga Amsterdami, është mësuar me kushte të rënda jete, sepse në karrierën e tij si mjek ka qenë në shumë rajone, ndër tjerash edhe në Kongo.

Kushtet në Greqi megjithatë i sheh si ekstreme të këqija. Pasojat e një shpërthimi të virusit Corona atje mund të jenë të paparamendueshme: “22.000 njerëz jetojnë në një hapësirë të vogël, gati secili mund të infektohet. Shumë prej tyre janë të sëmurë dhe kanë imunitet të dobtë. Atje bukvalisht mund të vdesin mijëra njerëz”, paralajmëron Van der Vijver.

Masa efektive për të mbrojtur këta njerëz nuk ka. Për të evituar përhapjen e virusit në këtë kamp, autoritetet greke kanë ndaluar që banorët e kampit të dalin gjatë natës jashtë kësaj hapësire. Në kamp ende nuk ka pasur asnjë rast të virusit Corona, bën të ditur Van der Vijver. Por është shumë e mundur që banorët e kampit, në momentin kur e shohin rrezikun, do të largohen me çdo mjet dhe do të shtrihen në mbarë ujdhesën. Ekziston rreziku real që në një situatë të këtillë të infektojnë edhe banorët lokalë të ujdhesës.

Pa kujdes mejkësor

Qysh para përhapjes së Coronës në Evropë, gjendja në Moria ka qenë dramatike, njofton Sanne van der Kooij. Ajo dhe mjekët tjerë nuk kanë pasur kushte optimale për trajtimin e pacientëve në këtë kamp. Kjo është një gjendje shumë ekstreme, pohon kjo gjinekologe. Trajtohen vetëm pacientët në gjendje emergjente. Ajo ka parë edhe plagë të hapura, plagë të shkaktuara nga zjarri, gjatë përgatitjeve të ushqimeve në kushte shumë të rënda. Ka parë edhe plagë të shkaktuara me armë të ndryshme, si pasojë e konflikteve dhe përleshjeve në kamp. Në Moria ka shumë njerëz me pasoja të rënda psikike.

“Mund të shohësh fëmijë, të cilët si pasojë e traumave nuk flasin fare, gra të traumatizuara që nuk mund të kujdesen për fëmijët dhe të rinj që përpiqen të bëjnë vetëvrasje”, thotë Van der Kooij.

Ajo si mjeke është betuar se do të bëjë të gjitha për të shpëtuar jetë njerëzish. Ndaj ka vendosur të publikojë këto të dhëna alarmante. Vendet e BE kanë premtuar se do të marrin refugjatët në gjendje tepër të rëndë dhe të ndihmojnë ata. “Ato e kanë shkelur premtimin”, pohon holandezja.

Frikësimet në kufi

Eurodeputeti ekologjist Erik Marquardt ka qenë në Moria. Ai thotë se gjendja ka një lloj sistemi, sepse qëllimi i disa udhëheqësve është që kjo gjendje e rëndë të jetë si një lloj mësimi për refugjatët tjerë që të mos nisen nga Turqia për në Greqi. Pandemia Corona nuk ka ndryshuar gjendjen aspak, thotë Marquardt. Njerëzit që duan të frikësojnë të tjerët që të mos vijnë, janë pajtuar me mundësinë që atje të ketë edhe shumë të vdekur, sepse duan të vazhdojnë këtë strategji. Eurodeputeti gjerman thotë se deri tani ka munguar vullneti politik për ndryshimin e gjendjes. E ai beson se “mund të evitohet që të mos infektohen me dhjetëra mijëra njerëz brenda një kohe shumë të shkurtër”.

Evakuimi i mundshëm

Ai propozon që refugjatët nga atje të evakuohen me anije dhe të futen në karantinë në vendet tjera. Që tani është e qartë se turizmi këtë vit do të ketë probleme, ndaj është e mundur që këta refugjatë të vendosen edhe nëpër hotele. Ndërkohë që vend ka edhe në vendet tjera. “Në Gjermani ka për momentin 25.000 vende të lira që mund të shfrytëzohen. Duhet të përdorim të gjitha mundësitë.”

Shumëkush e sheh Morian si një simbol të politikës së dështuar evropiane ndaj refugjatëve. Kampe të ngjashme si ai në Moria ka edhe në Myanmar, në Idlib të Sirisë apo në Gazë. Por Steven van der Vijver pohon se ka edhe një dallim. “Kampi Moria është në territorin e Evropës dhe ne jemi ata që duhet të kujdesemi për këtë kamp që e kemi hapur vetë.”/DW


Shtuar 1.04.2020 08:17