Meta e “kërcënoi” me shkarkim, Rama jep përgjigjen epike: Sillet sipas hënës!

“Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës. Kështu që varet nga dita dhe kahja e hënës në momentin kur flet…”

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama për presidentin Meta gjatë një interviste të fundit në lidhje me deklaratën e presidentit ku deklaroi se “le të vijnë të më shkarkojnë të shohim kush shkarkohet i pari”.

Pavarësisht kritikave, Rama ka theksuar fort se parlamenti shqiptar sot është legjitim dhe do të vazhdojë punën e tij.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Presidenti duket sikur ka kërcënuar maxhorancën duke e çuar parlamentin drejt shkrirjes. Keni një koment për deklaratat e Presidentit?

Rama: Nuk i kam ndjekur deklaratat e Presidentit. Nuk përbëjnë asnjë surprizë në çfarëdo formë që ato të materializohen.

Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës. Kështu që varet nga dita dhe kahja e hënës në momentin kur flet.

Ndërkohë që Parlamenti vazhdon punën. Jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës dhe do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar në kodin zgjedhor ndryshimet e rëndësishme që ndodhën përpara mbylljes së sesionit të kaluar, duke i hapur rrugë listave të hapura dhe njëkohësisht duke konsoliduar sistemin zgjedhor me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve, nga një formulë absurde që ishte unikale dhe të cilën nuk e ka asnjë vend, në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane që kanë koalicionet si një mundësi. /albeu.com/


Shtuar 19.09.2020 15:49