Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Bushati flet 6 vite pas mbledhjes së parë të dy qeverive

“Partneriteti Shqipëri-Kosovë është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën europiane”

Gjashtë vjet më parë, më 11 janar 2014 në Prizren u mbajt mbledhja e parë e dy qeverive Shqipëri-Kosovë ku dhe u nënshkrua Partneriteti Strategjik mes dy vendeve.

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duke përkujtuar këtë ditë thotë se sot, gjashtë vite më pas nevojitet një bilanc i plotë rreth plotësimit të angazhimeve të ndërmarra në këtë partneritetit por dhe pasurimit me instrumente të reja.

Me një postim në rrjetet sociale ish shefi i diplomacisë shqiptare thotë se Partneriteti Shqipëri-Kosovë është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën europiane.

Postimi i plotë:

11 Janar, 6 vjet më parë në #Prizren nënshkruam dokumentin e Partneritetit Strategjik Shqipëri-Kosovë, duke përcaktuar objektiva për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dritën e dinamikës së tyre dhe interesave të përbashkëta.

Krahas kundërshtarëve të njohur të kësaj nisme, e cila fillimisht u prezantua në programin qeveritar të votëbesuar nga Kuvendi në Shtatorin e 2013, nuk munguan as kritikët të cilët më shumë sesa me objektivat që parashtronte dokumenti dhe instrumentet për t’i jetësuar ato, merreshin me fotografinë e përbashkët të dy qeverive.

6 vjet më pas në 2020, nevojitet një bilanc i plotë rreth nivelit të zbatimit të angazhimeve të ndërmarra dhe pasurimit me instrumente të reja.

Aq më tepër që mjedisi i sigurisë që na rrethon dhe konteksti gjeopolitik që jetojmë kanë evoluar ndjeshëm. Partneriteti Shqipëri-Kosovë është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën europiane. #ShqiptarëtBashkë


Shtuar 11.01.2020 16:12