Ish-truproja i Azem Hajdarit: Haklajt erdhën për Saliun, prova në kasetën e regjistruar në spital

Marjan Gryka është një ish-truprojë e deputetit të vrarë Azem Hajdari dhe njeriu më besnik i tij për shumë vite. Në vitin 2008 ai u plagos në Shkodër, por policia tha se e kishte kryer vetë plagosjen. Tashmë ai jeton jashtë vendit.

Në një intervistë të gjatë në marsin e 2013, ai ka dhënë një dëshmi të fortë mes përplasjeve të hershme të Berishës dhe Hajdarit, si dhe momenteve të errëta të komplotit për vrasjen e Hajdarit.

Gryka nuk ka dyshime se ka qenë Berisha ai që ishte i interesuar në vrasjen e Azemit, madje ish-truproja qartëson dhe takimin e Azemit me Muharrem Haklajn 10 ditë para vrasjes.

Ai këmbëngul se Fatmir Haklaj kishte shkuar në Tiranë për të vrarë Berishën, por vetë Berisha nxorri Azemin që të përplasej.

Dje avokati i Izetit deklaroi se pas rihapjes së gjyqit kjo do jetë nga tezat e mbrojtjes. Gazeta “DITA” rikthen sot me shkurtime për lexuesit këtë dëshmi të Grykës:

Përshëndetje Marjan ju keni qenë truprojë e Azem Hajdarit, ju lutem bëni një përshkrim të shkurtër të së kaluarës tuaj….

Unë jam një djalë Shkodre, aktiviteti im nisi në 2 Prillin e famshëm të vitit 1991, ku atëherë në protestë edhe jam plagosur. Më pas kam vazhduar të jem aktiv në lëvizjen antikomuniste, por mesa duket gjaku jonë vetëm u përdor.

Në ngjarjen e 2 Prillit në Shkodër, me erdhi dikush në spital, dikush që nuk e kisha parë ndonjëherë. Ai ishte Azem Hajdari. Mu afrua në spital dhe më tha: “Çohu burr se s’ke kurrgjë”. Unë me një buzëqeshje e pyeta se kush ishte. Të gjithë të pranishmit aty më thanë “Mario ky është Azem Hajdari”.

Për t’i rënë shkurt ato ditë na lidhën sepse kishim një ideal dhe një zotim për të luftuar për ditë më të mira dhe kundër atyre që burgosën familjet tona. Atë ditë jam njohur për herë të parë me Azemin dhe pas saj unë, me kërkesën e zotit Hajdari ika në Tiranë.

Aty e kisha shumë të vështirë të ambientohesha. Azemi filloi të bëhet idhulli im. Unë fillova punë si efektiv i Gardës së Republikës dhe truprojë personale e Azem Hajdarit. Në këtë kohë u dekorova “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti i asaj kohe Sali Berisha.

Për mua Azem Hajdari u vra për liri, por kurrë s’e gëzoi lirinë. Jeta me Azem Hajdarin ka qenë një betejë e ashpër. Kujtuam se e rrëzuam komunizmin, por ai përkundrazi pas viteve 90’, pra me qeverinë e parë të PD-së, na u vërsul dhe na sulmoi më shumë se kurrë. Azem Hajdari nuk pranonte kompromise kundër atdheut. Beteja jonë u fokusua brenda Partisë Demokratike, sepse Azemi në fjalimet e tij kritikonte drejtuesit e PD-së.

Çfarë dini ju për përplasjet mes Berishës dhe Hajdarit në vitet 90-të?

Mendoj se kur Berisha ishte president, ishte një dikush me tre poste, që Berisha e komandonte që dhe lëvizte gurët kundër Azem Hajdarit. Ky njeri ishte Tritan Shehu, ishte Zv.Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe kryetar i PD-së. Lufta e tij me urdhrat e Sali Berishës ishte shumë e ashpër.

Dua t’iu tregoj një fakt. Sapo u çova një mëngjes nga gjumi, (unë jetoja në shtëpinë e Azemit), më thirri në dhomën e tij po pinim kafe e më tha: “Mario sot kemi një betejë, kemi mbledhjen e kryesisë së PD-së, është dhënë urdhër që Azem Hajdari të mos hyjë brenda, si do ia bëjmë?” Pra lideri i dhjetorit dhe kryetari i parë i PD-së nuk lejohej të hynte në mbledhjen e kryesisë së PD-së.

Unë me një buzëqeshje i thashë: “Bacë ne do hyjmë gjithnjë aty ku njerëzit na duan”. I hipim makinës dhe pamë se Pallati i Kongreseve ishte rrethuar me 300 forca policie, që Azem Hajdari të mos hynte brenda. Për ti rënë shkurt, ne të armatosur e çamë postbllokun dhe e futëm Azem Hajdarin në sallë.

Byroja politike akoma nuk kishte arritur në sallë. Pasi hymë në sallë gjeta ca lepuj të Partisë Demokratike që ishin rreshtuar në rreshtat e parë e po prisnin byronë. Njërin prej tyre e kapa, e çova me dhunë dhe aty ula Azemin. Pastaj shkova e kontrollova nëse ishte parashikuar në protokoll që të fliste dhe Azem Hajdari. Normalisht nuk ishte parashikuar. Me mjete “demokratike” e shënuam që Azemi do merrte fjalën i treti.

Pas 12 minutash mbërriti byroja, me një pamje si të Adil Çarçanit me shokë, ku mbërriti Tritan Shehu me ish-sigurimsat, pastaj mbërriti dhe Sali Berisha. Pasi folën dy kryetarët e byrosë, i treti e mori fjalën Azem Hajdari. E bëra gjithë këtë përshkrim për t’iu treguar pjesën e fjalimit të Azemit.

Azemi iu tha: “Dëgjoni ju tavolinë e krekosur dhe e dhjamosur me një popull fukara dhe të rrënuar nga komunizmi. Unë jam Azem Hajdari, djali i Shpend Hajdarit. Baba im ka qenë komunist dhe unë e kam për nder që jam i biri i tij. Por në vitet 90’ unë i rrëzova idealet e babës tim, e rrëzova Enverin. Por sot ka një fatkeqësi kombëtare, që ju i keni dhe vazhdoni ti keni ato ideale që kishte baba im. Ky është turp dhe tradhti kombëtare. Kjo nuk është PD-ja që populli donte ta kishte në pushtet. Kjo është një ngjallje dhe pasurim i komunizmit”.

Më pas salla u ndez dhe të gjithë i puthnin duart Azemit. Kjo ishte goditja e parë agresive në vitin 1994 në Pallatin e Kongreseve.

Si mundi zoti Berisha të akumulojë aq shumë pushtet në atë kohë sa të flakte dhe Azem Hajdarin? Po ashtu doja të dija nëse rikthimi i Azem Hajdarit në PD u bë me dëshirën e tij, apo pas këmbënguljes së zotit Berisha?

Para se të vinin ngjarjet e vitit 1997, ne kishim mbi një vit e gjysmë pa fol me Sali Berishën. Në vitin 1995 dhe diku nga fillimi i vitit 1996, Azem Hajdarit, i hiqet imuniteti i deputetit, shkarkohet nga Komisioni Parlamentar i Rendit dhe SHIK-ut, përjashtohet nga PD-ja. Unë u shkarkova si oficer i Gardës.

Morëm zyra me qira pranë ish-kafe “Çaplin” në qendër të Tiranës dhe kaluam me sindikatat. Pra, Berisha, si një diktator i ri, na shkarkoi në distancë. Në këtë kohë Azem Hajdari, me bindje të plotë, filloi organizimin e sindikatave të pavarura për të rrëzuar qeverinë Meksi.

Pra lideri i dhjetorit ishte në rrugë së bashku me truprojën e tij, me armë në brez por pa leje. Shteti jonë na ndiqte për të na arrestuar. Pra jeta e liderit të dhjetorit ishte në rrezik, jeta ime nuk ishte problem fare.

Këtu filloi beteja dhe lufta e ashpër Berisha-Hajdari, ku SHIK-u i Gazidedes së asaj kohe na përndiqte kudo, SHIK-u më i fëlliqur i të gjitha kohërave. Me qindra herë u përleshëm me ta. Një natë ata agjentë të SHIK-ut kishin rrethuar shtëpinë e Azemit, është turp ndoshta të thuhet, por ne i morëm peng dhe i çuam të paarmatosur dhe i thamë Gazidedes: “Ju jeni turpi i kombit dhe tradhtia e kombit se shtëpia e Azem Hajdarit nuk ka nevojë për rrethim”.

Duke u afruar viti 1997, Azemi shumë i mërzitur dëgjonte lajmet për atë që po ndodhte në Shqipëri. Ishim në “Rogner” dhe sekretarja e Sali Berishës e mori Azemin në telefon e i kërkoi ndihmë Azemit, sepse dhe Garda e Republikës po ikte dhe po e linte Presidentin në baltë. Azemi u mendua dhe pas disa kërkesave ne shkuam në Presidencë.

Berisha ishte bërë si një kufomë, ishte për të ardhur keq. Brenda në Presidencë gjetëm dhe Pjetër Arbnorin, pas një bisede Azemi i tha Pjetrit: “Pjetër, gjatë gjithë kësaj kohe PD-ja e ka pas forcën, siç ke zërin ti, prandaj boll ke fol”. Në këtë moment Berisha kërkoi që Azemi, ta mbështeste, e unë si oficer i tij të merrja Gardën e Republikës.

Ngjarjet kështu rrodhën, u ashpërsuan, të gjitha degët e PD-së në rrethe kërkonin dorëheqjen e Berishës si President, përveç Shkodrës, ku unë isha anëtar i kryesisë. Nisëm po shkonim nëpër takime me Presidentin që nuk jepte dorëheqje dhe në çdo takim na vriteshin nga dy shokë.

Asnjë nga këta njerëz nuk u përmend nga Berisha. Shumica e tyre janë mirditorë, por Sali Berisha, si ata ka harruar shumë të tjerë. Në betejën që bëmë përsëri me Azemin, për ringjalljen e PD-së, unë u arrestova nga ca lakenj të PD-së, u lirova përsëri dhe dy muaj para vrasjes së Azemit më arrestuan prapë.

Natën që është vrarë Azem Hajdari kam qenë në arrest shtëpie pavarësisht se në Shkodër isha i lirë dhe gjithë ditën te selia e PD-së, por këta ia arritën qëllimit dhe Azemin e lanë në rrugë të madhe. Pra deri te vrasja janë këto momente.

Azemi ka pësuar shumë atentate. Sipas jush kishin një prapavijë politike këto atentate?

Mendoj se eliminimi i Azem Hajdarit, duhej bërë me çdo kusht nga kjo klasë politike që Azemi e rrëzoi në vitin 90’. E theksoj se në çdo atentat, se na janë bërë 9 atentate, ka pas dorë Partia Demokratike. Edhe ditën e vrasjes. Partia Demokratike ka pas dorë në vrasjen e Azem Hajdarit.

Asnjë njeri nuk mund ta mohojë këtë, aq më tepër sot, pas shumë viteve ku nuk kanë lënë goditje pa bërë, janë munduar të eleminojnë çdo njeri që përmend Azem Hajdarin.

Zoti Gryka. Në mos gaboj ditën e vrasjes, Azem Hajdari ka qenë në një takim në qytetin e Fierit. Mesa dimë ai është thirrur në telefon për të ardhur me urgjencë në Tiranë, ku u vra më pas poshtë selisë së PD-së. Përse u thirr me kaq urgjencë Azemi? Ju e dini arsyen? Kishte ndonjë problem kardinal që duhej të kthehej me kaq urgjencë?

Mendoj që në lidhje me vrasjen e shekullit, shqiptarët në 90 për qind në ato çfarë kanë dëgjuar dhe lexuar, janë gënjyer. Ngjarja është krejt e qartë dhe krejt e shkurtër për ta zbardhur, por skenarët e klikës dhe personazhet e dy partive me në krye PD-në nga skemë e kanë kthyer në skenar për mos zbardhje.

Për shembull, kur Haklajt kërkuan takim me Azem Hajdarin, ne e morëm plakun e Haklajve dhe e çuam në zyrë. Unë jam dëshmitar i kësaj. Gjithë bisedën që Azemi bëri me plakun e Haklajve, Azemi e incizoi dhe ja dha kasetën plakut në dorë dhe i tha:

“Bac, merre këtë kasetë dhe çoja djemve të tu, për çfarë biseduam. Sepse ato hilenë e kanë tjetërkund dhe jo te Azem Hajdari”. Fjalën e kishte për Sali Berishën. Në këtë kohë, ditën që është rrethuar PD-ja, pra gjoja për të vrarë Azem Hajdarin, sepse Haklajt nuk kanë ardhur për të vrarë Azem Hajdarin.

Haklajt e kanë deklaruar, e kanë ri-deklaruar madje e kanë kërkuar dhe në gjyq Sali Berishën. Sepse ata kanë ardhur me vra Sali Berishën dhe jo Azem Hajdarin. Sepse e dinte gjithë Shqipëria që Azemi ishte në miting në Fier dhe po të donin vrasësit mund të bënin prita kudo, nga Fieri në Tiranë.

Nuk kishin ardhur për Azem Hajdarin. Por skenaristët e PD-së e telefonuan Azemin se me porosi të doktorit duhej të vinte urgjent në Tiranë pasi kishte një mbledhje kryesie. Unë fola me të dhe i thashë, madje iu thashë edhe çunave të Fierit, çunat që janë sot pronarët e turizmit, janë sot dëshmitarë të gjithë. “Mos e lini Azemin me lëvizë”.

Sepse kishte diçka që dihej, që po kërkohej eliminimi i Azemit e po diskutohej kjo gjë kudo. Sepse kishte një fakt, e djathta shqiptare po shkonte pas Azemit dhe jo më pas Sali Berishës. Edhe kur fola me Azemin i thashë mos lëviz, më tha do të marr për 20 minuta do të tregoj. I thashë që mbledhja e tyre nuk ka më rëndësi por rëndësi ka PD-ja e re që do bëjmë ne, jo PD-ja që na çoi këtu.

Pra vrasësit kishin rrethuar PD-në dhe Azemi ndodhej në Fier. Si ka mundësi që vrasësit kishin rrethuar selinë e PD-së për të vrarë Azemin, ndërsa Azemi ndodhej në Fier? Vrasësit kishin ardhur për Sali Berishën. Sepse plaku i Haklajve u sqarua me Azem Hajdarin.

Pyesni ju me të drejtë, pse u thirr me urgjencë për një mbledhje kryesie që nuk u bë kurrë? Njeriu që e ka marrë në telefon Azem Hajdarin është Genc Pollo, kjo dihet. Tabulatet e telefonatave i ka ditur dhe ish-drejtori i AMC-së që tani nuk dihet se ku është.

Atëherë pyetja është krejt e thjeshtë: Për çfarë duhej të vinte se s’bën te PD-ja Azem Hajdari? Pasi u nis Azemi nga Fieri, ne shokët e tij jemi replikuar me të, pasi na thonte se ka doktori një hall. Kur mbërriti Azemi te PD-ja të gjithë u habitën. Edhe vrasësit u habitën, se e kanë deklaruar vetë. Kanë thënë : “Çfarë do ky budallai këtu?”.

Kur ka hyrë Azemi në PD, PD-ja ishte një kufomë e gjallë, nuk kishte asnjë njeri. Në korridor ka dalë Pollo me tre vetë të armatosur, ishin tropojanë. Kanë takuar Azem Hajdarin dhe pas kësaj kanë kaluar tre minuta, Azemi ka dalë dhe ka komunikuar gjoja me ata që kishin ardhur të vrisnin Azem Hajdarin. Por e përsëris, kur erdhi Azemi nga Fieri vrasësit ishin aty, nuk kishin nevojë ta linin të futej brenda. Përse nuk e goditën?

Absolutisht nuk kanë patur punë me Azem Hajdarin. Por Azemi, nga sedra, burrnia, kur e qitën të komunikojë me vrasësit e Sali Berishës, doli. Doli dhe u përlesh me ta sepse dihet se çfarë bisede është bërë. Ata i kërkuan që të largohet duke i thënë: “Çfarë do ti këtu”? Në krye të tyre ishte oficeri i Sali Berishës, Izet Haxhia.

Pra, këtu ndodhi fatkeqësia, me tradhti 100% nga PD-ja, e iniciuar dhe e organizuar dhe e miratuar nga dy tre persona politikë nga e majta. Sepse atëherë ishte e majta në qeveri dhe vrasësit ishin shefa komisariatesh, drejtorë policie etj. Pas vrasjes, disa prej vrasësve kanë ikur në Ministrinë e Brendshme disa të tjerë kanë ikur në drejtim të Kinostudios.

Një lexues na shkruan për ju: Zoti Gryka me çfarë guximi dhe mbi ç’bazë akuzoni një kryeministër për këtë ngjarje të rëndë, ndërkohë që Berisha ka qenë mik i Azem Hajdarit dhe në Kosovë konsiderohet si Skënderbeu i dytë i shqiptarëve?

Ju dëgjova me vëmendje. Meqenëse u tha se Berisha ka qenë mik i Azem Hajdarit, dua të them se miqtë e Azemit kanë qenë të shumtë, nga të gjitha trevat shqiptare. Këtu flasim jo për miqtë po për miq-kryearmiq.

Nëse unë sot flas për një kryeministër, deri dje kam folur edhe për një shef opozite, ku e kam akuzuar direkt. I jam drejtuar njëherë me 25 pyetje, pastaj më vonë me 50 pyetje. Ai është kryeministër, unë jam President i Përgjithshëm i shoqatës mbarëkombëtare “Azem Hajdari”.

Nuk kam nguruar asnjëherë t’ia them në sy atë që kam menduar. Nuk kam pranuar kurrë propozimet e tij për karrige. Nuk kam pranuar kurrë t’ia them gjërat nga një i dytë apo i tretë. Ja kam thënë në sy , sepse kam qenë jam dhe do jem i bindur për rihapjen e çështjes “Hajdari”.

Meqenëse kërkuat fakte desha të them se Berisha ka akuzuar vetë 10 minuta pas vrasjes organizatorët kryesorë të vrasjes, Fatos Nanon dhe Skënder Gjinushin. Akuzoi dhe njeriun specifik organizator, në komplot me këta të dy, kreun e SHISH Fatos Klosin. Tha që këta janë vrasësit e Azem Hajdarit. Ligji thotë se edhe në gazetë po doli një fakt i vërtetë prokuroria duhet të nisë hetimin.

Mirëpo ky kryeministër i sotëm, u thirr 10 herë para drejtësisë të deklaronte vrasësit e Azem Hajdarit për të gjitha ato që kishte deklaruar. Nuk shkoi asnjëherë. Të tjerëve u tha shkoni, ndërsa drejtësia për këtë zotni nuk ka ekzistuar kurrë. Aq më tepër, meqenëse gjoja ka qenë miku i tij duhet të ishte pas derës së gjykatës për të dhënë dëshminë e tij.

Jo vetëm që nuk e bëri, por pas një marrëveshje edhe me shoqatën “Azem Hajdari”, e me shumë të tjerë deklaroi se do hapte çështjen nëse në 2005 do fitonte zgjedhjet. Jemi në vitin 2013 dhe Azem Hajdari jo vetëm që është lënë në harresë por vazhdon e vritet çdo ditë.

Desha të them në lidhje me vrasjen, janë dy faktorë krejt të thjeshtë kur dy njerëz arrestohen nga policia e Gramshit për trafik armësh. Në këto momente, pasi arrestohen të dy, Fatos Klosi shkon i takon, bisedën e di vetëm ai, e për këtë ka një deklaratë shumë të fuqishme të ish-prokurorit të kësaj çështje. Ai thotë, se dosja nr 106, që është dosja e dy të hetuarve për trafik armësh e iniciuar nga Fatos Klosi dhe me një ndërhyrje nga Thimio Kondi, ministër i Drejtësisë së asaj kohe.

Ky prokuror ka takuar katër herë Sali Berishën dhe i ka dëshmuar shumë gjëra duke pasur besim se ky është miku i Azemit, por deri më sot Berisha nuk e ka hapur gojën. Truproja i Azemit, Neza, sot është në azil politik. Ai i ka deklaruar Sali Berishës dhe Ylli Rakipit me kasetë i regjistruar për konfliktin me armë dhe debatet me Azemit në momentet para vrasjes.

Atë kasetë e ka ende sot Sali Berisha. Ku është pse nuk e dorëzon kasetën? Sot, ky mik i madh i Azemit, që i ka bërë qindra sulme, merr këshilltar të tij Neritan Cekën, njeriun që na bëri 7 atentate kur ishte ministër i Rendit. Merr ministër të Mbrojtjes Arben Imamin, gjenerali i bandave të 97-ës. Pra, të gjithë organizatorët, atentatorët e Azem Hajdarit janë në kolltukët politike, drejtësia nuk ekziston sepse vetë këta pushtetarë e kanë vrarë drejtësinë.

Po të duan me një kërkesë nga prokuroria gjyqin e rihap Gjykata e Lartë dhe Sali Berisha thirret si dëshmitar kyç i çështjes. Për të thanë shumë gjëra që i mban të fshehura se ka frikë nga e vërteta.

Ju mendoni se Azem Hajdarin e ka vrarë kompromisi PS-PD?

Këtë se luan as topi, siç e thashë edhe më parë, ka pasur kompromis PD-PS për eliminimin e tij. Azem Hajdari ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike, që aty konjukturat e pseudonimit “Penicilina”, që është pseudonimi që kishte Berisha në sigurimin e shtetit. Lufta që i kanë bërë të dy krahët Azem Hajdarit.

Ka patur dhe incidentin kur u plagos në parlament nga Gafurr Mazreku, deputeti i PS-së, të cilin e frynë këto konjuktura kundër Azemit. Mirëpo kur vëllezërit e Gafurrit erdhën në shtëpinë e Azemit, Azemi u deklaroi që Hajdarët nuk kanë gjak me Mazrekët. Ndaj dhe ky atentat nuk ra në kurthin PS-PD për ta shndërruar në një çështje kanunore përplasjen e tyre.

Ashtu siç janë munduar ta kthejnë vrasjen e shekullit në kanunore e trafik armësh. Po të pyes unë ty si gazetar, nëse do ishte Azemi gjallë sot a do kishte përfunduar PD-ja te Xhuveli e deri te Çiljeta me këngët e saj? Ajo është një parti ku bij nënash janë vrarë për një jetë më të mirë në Shqipëri.

Sot ka një të vërtetë, asnjë ditë demokracie nuk ka pasur Shqipëria. Sot ka një të vërtetë, jemi i vetmi vend në Evropë, që trajtohemi si të hipotekuar nga këto figura komuniste. Jemi i vetmi vend në Evropë që na duhet të rrëzojmë komunizmin për herë të dytë.


Shtuar 25.09.2020 08:29