Ish-ministri i del “në krah” Tahirit: Kjo është llogjikë, jo pasion

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot që të shtyjë me dy ditë të tjera seancën për shpalljen e vendimit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka apeluar vendimin e dënimit për ‘shpërdorim detyre’.

Lidhur me dosjen “Tahiri”, ka reaguar edhe ish-ministri Ylli Manjani i cili argumenton se ‘ai shpërdoroi detyrën dhe lejoi drogën, ose nëse nuk provohet pasoja ska më asnjë kuptim shpërdorimi i detyrës.’

Manjani shkruan se kjo është logjikë dhe jo pasion duke shtuar se “drejtësia qartësisht nuk i provoi lidhjet e detyrës së “shpërdoruar” me drogën, ndaj nuk ka llogjikë të fortë ligjore dënimi për detyrën, sepse pasoja nuk u provua.’

Postimi i plotë:

“Kam thënë dhe vijoj ta them se dënimi për shpërdorim të detyrës,kur nga shpërdorimi nuk ka pasojë, quhet BOLSHEVIZËM ligjor. Jam i bindur në këtë llogjikë.

Lexojeni Kodin Penal dhe do bindeni që është kështu. Zyrtari publik kur e shpërdoron detyrën nuk e bën për fiksim as si qëllim në vetvete, por për të arritur një pasojë të paligjshme. Ky është kuptimi ligjor i kësaj vepre penale.

Në fakt drejtësia e vërtetë të provon dhe të gjykon për pasojat që sjell veprimi ose mosveprimi.
Shpërdorimi i detyrës në vetvete nuk është as qëllim e as pasojë, por mund të jetë një mjet për të arritur një pasojë kriminale.

Këtij kuptimi duhet ti qëndrojë çdo arsyetim apo interpretim ligjor. Në rastin Tahiri, meqë ka kuriozitet këto ditë, llogjika është njësoj. Ose Ai shpërdoroi detyrën dhe lejoi drogën, ose nëse nuk provohet pasoja ska më asnjë kuptim shpërdorimi i detyrës.

Kjo është llogjikë, jo pasion. Aq më pak politikë… Po të ishte për politikë mund të hidha dhe unë një dorë baltë. Drejtësia qartësisht nuk i provoi lidhjet e detyrës së “shpërdoruar” me drogën. Ndaj nuk ka llogjikë të fortë ligjore dënimi për detyrën, sepse pasoja nuk u provua.

I qëndroj kësaj pikpamje edhe për të përçudnuar të tjerë nga llogjika bolshevike e zbatimit të Kodit Penal. I qëndroj jo për politikë, por për drejtësi!

Drejtësia as integrimi nuk bëhen me shoë pa lidhje llogjike dhe qasje të drejtë. E përsëris asnjë qëllim apo kuptim politik ka ky mendim që e kam shprehur në mënyrë konstante.”- shkruan Manjani.

Kujtojmë se më 19 shtator 2019, ish-gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë i dha pafajësi Tahirit për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gjykata i dha Tahirit 5 vjet burg, i cili u reduktua në 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjithashtu, gjykata vendosi pezullimin e dënimit për tri vjet.

Në ankimin e kryer në ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, aktualisht shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme, Tahiri kundërshtoi edhe dënimin e dhënë nga gjykata për “shpërdorim detyre”. Ankim kreu edhe ish-Prokuroria për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar rrëzimin dhe ndryshimin e akuzave.

Përballë Gjykatës së Posaçme të Apelit, si Tahiri ashtu edhe përfaqësuesit e Prokurorisë i qëndruan argumenteve të dhëna në shkallën e parë. Prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kërkuan dënimin e Tahirit me 12 vjet burg, duke i qëndruar akuzave për trafikim droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që ish-ministri Tahiri dhe Çela kërkuan pafajësi.


Shtuar 24.06.2020 14:52