Futi nën rrota gruan e kushëririt pas sherrit, habit me dëshminë autori

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën “Arrest me burg” për 50-vjeçarin Hilë Simoni, i cili akuzohet se përplasi me makinë gruan e kushëririt të tij, Katrina Hila.

Mirëpo, gjatë deklaratës së tij në Gjykatë, Simoni tha se ngjarja e ndodhur mëngjesin e 20 shtatorit në fshatin Gur i Zi ishte aksidentale. Ai tha se nuk ka konflikt me familjen e 54-vjeçares, duke theksuar se ngjarja nuk ka qenë e qëllimshme.

“Edhe djali im të ishte nuk do të kisha mundur ta shmangia aksidentin.

Para një jave kam pirë edhe kafe me bashkëshortin e Katrinës, kushëririn tim, nuk kemi probleme”, tha ai para gjyqtarit.

Por, e dëmtuara pretendon se gjithçka ka qenë qëllimshme, si pasojë e sherrit për një gardh që ndante shtëpitë e tyre.

Duke folur në media, Katrina Hila tha se Hilë Simoni e ka përplasur me makinë dhe më tej i ka kaluar me rrota sipër këmbëve, madje ka tentuar ti nxjerrë edhe sytë.


Shtuar 23.09.2020 17:21