Faleminderit President! Ambasadorja amerikane riposton deklaratën e Metës

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përshëndetur deklaratën e presidentit Ilir Meta i cili apeloi palët politike që të përmbyllin reformën zgjedhore brenda 31 majit pasi në të kundërt do të ketë pasoja të mëdha në procesin e integrimit.

Teksa ka ripostuar deklaratën e tij në twitter, Kim shkruan: “Faleminderit Zoti President për inkurajimin tuaj!”

Anëtarët e Këshillit Politik prej dy ditësh u ngujuan në ambientet e Pallatit të Kongreseve në tentativën për të gjetur konsensusin për reformën zgjedhore.

Ende pa u mbyllur diskutimi i dytë, presidenti i Republikës Ilir Meta në një konferencë për mediat deklaroi se do të firmos datën më të afërt për zhvillimin e votimeve.

Aktorët politik kanë rënë dakord që zgjedhjet të mbahen në 2 periudha, nga 15 prill në 15 maj ose gjatë vjeshtës nga 15 tetori deri më 15 nëntor.

Por nëse do të ketë dhe riformatim të KQZ apo depolitizim të komisionerëve, shanset që dekreti të jetë në vjeshtë minimizohet duke e lënë datën 18 prill si mundësia më e afërt.

Kreu i Shtetit tha se këtë vendim, do ta marrë pa konsultime formale me partitë politike.

Ilir Meta: Që ta kemi të qartë: Në qoftë se Kodi nuk miratohet me konsensus, regjistroheni këtë: Zero çeljesh negociatash të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë! Pra sa i bie, nja pesë vite të paktën i keni të humbura.

Përgjegjësia duhet të jetë e atyre aktorëve, të cilët i bëjnë këto gjëra.

Apeli im është: Ecni në këtë rrugë të konsensusit se kjo është gjë shumë e mirë për vendin dhe unë ju inkurajoj fuqimisht të gjithëve në këtë drejtim!

Tjetër gjë: Mos harroni se kemi edhe kryesimin e radhës së OSBE-së! Dhe do të ishte një turp i madh që Shqipëria, përveç këtyre ngjarjeve të fundit me Teatrin Kombëtar, që Shqipëria të mos përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it! Do të ishte një rast i paprecedent në historinë e OSBE-së!

Megjithatë është zgjedhja e tyre, Presidenti është shumë i qartë! Firmoset dekreti, nuk kthehet më prapa, kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë të ikë nga zgjedhjet!


Shtuar 29.05.2020 16:58