E FUNDIT/ Pezullohen nga detyra 4 policë në Rinas, tentuan të kalojnë në mënyrë të paligjshme një shtetase

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pezullon nga detyra 4 punonjës policie për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, si dhe po ndiqet penalisht në gjendje të lirë një shtetase.

Pas një hetimi pro-aktiv të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, në kuadër të një procedimi penal për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, me vendim të Gjykatës janë caktuar masat e
pezullimit të ushtrimit të detyrës për punonjësit e Policisë:

L.S., me detyrë në DPPSH;
M.B., me detyrë në DPPSH;
A.M., në Komisariatin e Policisë Rinas;
A.D., në Komisariatin e Policisë Rinas.

U vendos masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen K.B.

Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke dashur të mundësojnë kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në Aeroportin e Rinasit, të një shtetaseje shqiptare me pasaportë të falsifikuar. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë, Tiranë. SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë çdo shkelje të punonjësve të Policisë në numrin falas 0800 90 90.


Shtuar 6.02.2020 14:39