DETAJET/ Merrnin ryshfet, pse u arrestua drejtori dhe specialisti i Tatimeve në Korçë

Drejtori i drejtorisë rajonale të Tatimeve në Korçë dhe një specialist në këtë drejtori kanë përfunduar në prangat e policisë.

Operacioni i koduar “Tatimi” bëri të mundur arrestimin e Thomas Tontonozi, 58 vjeç dhe specialistin, Stjuart Bardhoshi, 39 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimet e tyre kanë ardhur me kërkesë së SPAK, ndërsa gjatë periudhës njëmujore të hetimit, “janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive”.

Sipas policisë, këta shtetas kundrejt parave u premtonin bizneseve të ndryshme mos kontrollin nga ana e tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Tatimi”.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut.

Vihen në pranga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë dhe një specialist i regjistrimit.

Operacini në kuadër të procedimit penal të referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në funksion të këtij procedimi nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Tatimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

• Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

• S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës të Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e sigurura gjatë hetimit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorit të SPAK, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetasit e mësipërm.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive.

Këta shtetas kundrejt ryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Nën drejtimin e SPAK, vijonë hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive.


Shtuar 27.08.2020 16:13