Çfarë kapaciteti ka Ballkani për të përballuar koronavirusin?

Koronavirusi po pushton edhe Ballkanin. Sistemi shëndetësor edhe para shpërthimit të pandemisë ka pasur mungesë pajisjesh dhe të stafit profesionist, do të goditet edhe më shumë nga vendimi i Këshillit Evropian për të kufizuar eksportet e pajisjeve mjekësore jashtë BE-së.

Vendet anëtare të BE-së, sidomos ato më të rrezikuarat, Italia dhe Spanja, kanë probleme edhe vetë me numrin e pamjaftueshëm të respiratorëve, testeve, shtretërve spitalorë dhe me stafin profesional. Ndërkohë, në Serbi ka polemika për numrin e respiratorëve. Sipas të dhënëve që ka paraqitur presidenti Aleksandër Vuçiç, Serbia ka 1,008 respiratorë dhe do të blejë edhe 500.

Megjithatë, në një moment, kryeministrja Ana Bërnabiç tha se informacioni për numrin e respiratorëve është “sekret shtetëror”.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Serbi të raportuara nga BIRN, Serbia ka 955 respiratorë në funksion – 740 të stacionuar, 215 të lëvizshëm – dhe 106 të prishur. Kur bëhet fjalë për testimet për koronavirus, shumë qytetarë serbë kanë thënë se mjekët kanë refuzuar t’i testojnë, madje edhe në situatat kur kanë shfaqur simptoma. Serbia rezulton të ketë më pak mjekë dhe teknikë se mesatarja europiane, që është 333 mjekë për 100,000 vetë. Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmërojnë për mungesë pajisjesh, sidomos nëse epidemia e koronavirusit merr hov, shkruan REL.

Mali I Zi, edhe pse nuk ka raste, zotëron 70 respiratorë, e ka porositur edhe 20. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka 58 respiratorë, por aktualisht ato po përdoren për pacientët e shtruar në spital. Ky institucion ka edhe 15 respiratorë rezervë që mund të përdoren për njerëzit e sëmurë nga koronavirusi. Kroacia, ndërkohë që ka arritur ta kontrollojë mjaft mirë situatën, thotë se aktualisht ka burime të mjaftueshme për t’u përballur me koronavirusin.


Shtuar 17.03.2020 09:58