Regjisori Robert Budina reagoi ashpër pasi kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ai dhe i vëllai Edmond Budina janë të infektuar me koronavirus, duke thënë se ai nuk e dinte një gjë të tillë.
Sipas Budinës, edhe nëse është e vërtetë që ai ka dalë pozitiv me Covid-19, kryeministri nuk mund të publikonte emrin e tij.
“Ne kemi në dorë të jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe t’i shërbejmë vendit. Ata e bëjmë që të trembin njerëzit që të mos dalin në protesta. Por unë iu them njerëzve të mos kenë frikë. Të mos merren me gënjeshtrat e kësaj qeverie. Me ç’të drejtë ai kryeministër edhe sikur të jetë e vërtetë nxjerr emrin tim?”, tha Budina për Syri Tv.
Regjisori Budina u shpreh se do të kallëzojë penalisht kryeministrin Rama, ministren e Shëndetësisë dhe të gjithë ata që i bënë testin.
“Më duket e padrejtë dhe është e orkestruar politikisht. Jam shumë i trishtuar që demokracioa e vendit tim vuan kaq shumë. Unë kryeministrin do ta ndjek penalisht, jo vetëm kryeministrin zonjën që më bëri testin, ministren e Shëndetësisë. Duhet të japin llogari.
Nuk mund ta nxjerrë kryeministri përpara se unë të marr përgjigjen. Ky kryeministër nuk po pyet as për shëndetin e njerëzve. Mënyra se si ishte kërkuar të bëhej testi jonë është qartësisht e orientuar politikisht situata. Është një shkelje e të drejtave të mia, por mbi të gjitha edhe demokracisë”, u shpreh i indinjuar Budina.
Më tej, Budina shprehet se kjo që ndodhi është e orkestruar politikisht. Regjisori thotë se nuk e ka parë testin, dhe se e kanë njoftuar vetëm në telefon.
“Nuk e kam parë përgjigjen e testit. Me telefon, më lajmëruan. Nuk më kanë çuar asnjë dokument, asnjë shkresë. Ndaj them se është e orkestruar.
Jam shumë i trishtuar. Do t’i drejtohem rrugëve private, do të ndjek të gjithë hapësirën ligjore për të kallëzuar kryeministrin, ministren e shëndetësisë dhe të gjithë njerëzit që kanë bërë këtë.
Edhe nëse është e vërtetë ata nuk kanë të drejtë të më shkelin të drejtat. Unë jam vetëkarantinuar, duhet të tregohemi të përgjegjshëm”, u shpreh regjizori.