Barcelona tallet me Bakambu, lojtari merr avionin për vizitat mjekësore por Abidal anulon gjithçka (FOTO LAJM)

Para zyrtarizimit të talentit të Bragës, Trincao, i cili do t’i bashkohet Barelonës pas 1 korrikut, “blaugranat” praktikisht kishin mbyllur marrëveshjen për sulmuesin Cedric Bakambu të Guoan të Pekinit, që konsiderohej zëvendësuesi ideal i Luis Suarezit.

Lojtari ka marrë avionin për në Spanjë për të nënshkruar kontratën e jetës, por është “zgjuar” nga ëndrra nga telefonata e papritur dhe brutale e Eric Abidalit: “Kemi ndryshuar mendje, gjetëm një sulmues tjetër!”

28-vjeçari bëri ironi mbi “situatën e tij të vështirë”, duke i kërkuar uebfaqes së futbollit, Transfermarkt, që të ndryshojë historinë e transferimeve në profilin e tij, ku duhet të lexohet “pothuajse i Barcelonës”.

“Pavarësisht se çfarë ndodh, ne i besojmë procesit. Faleminderit Zotit për gjithçka. Shihemi sërish @AntoGriezmann,” – komenton më tej 28-vjeçari.

Gjigantët katalanë kishin arritur marrëveshjen e huazimit me klubin kinez për ish-lojtarin e Villarrealit dhe zyrtarizimi do të bëhej në limitet e merkatos, sigurisht pasi sulmuesi të kalonte testet mjekësore, por ajo telefonatë e mallkuar e Abidalit bëri që Bakambu të mbetej në Hong Kong (tranzit), për t’u kthyer te skuadra kineze, që po zhvillon fazën përgatitore në Korenë e Jugut.

Në sezonet 2015-2018 Bakambu spikaste te Veillarreali, skuadër me të cilën luajti në 75 ndeshje në La Liga, duke shënuar 32 gola.


Shtuar 31.01.2020 20:48