Këtë të hënë, Operacioni forca e Ligjit nisi me verifikimin e subjektëve të cilët nuk e justifikojnë pasurinë.
Specialët e anti KÇK nuk dolën në terren, por dërguan fillimisht formularët në kompleksin “Golden” të personave të arrestuar për pengmarrje e që sipas aktit normativ ka vetëm 48 orë kohë për të justifikuar të ardhurat dhe me çfarë parash është ngritur biznesi.
Nga ana tjetër burime pranë policisë thanë për a2 se 12-të drejtoritë vendore kanë dërguar në Departamentin e Policisë Kriminale lista me emrat e personave që sipas tyre dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe që kanë krijuar pasuri të jashtëligjshme.
Këto lista, janë përgatitur dy muajt e fundit, dhe pas Policisë Kriminale do të dërgohen në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Paketa ligjore mbi të cilën është ngritur anti-KÇK, parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK, të cilës i jepet 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros.
Deri në këto momente, janë rreth 250 subjekte të cilat do të kalojnë në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit, dhe që kryesisht janë në qarqet më të mëdha të vendit. Verifikimi do të bëhet deri tek palët e treta të cilat mund të jenë lidhje gjaku apo edhe lidhje shoqërore, e që mund të bëhen mburojë për fshehjen e pasurive të paligjshme.