Agjencitë e huaja: Në mars pritej shkarkimi i Presidentit Meta

Presidenti i Shqipërisë i ka bërë thirrje popullit të tij që të ngrihet për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga e majta.

Ilir Meta, ndaj të cilit Partia Socialiste në pushtet ka filluar procedurat e shkarkimit të tij, ftoi sot popullin të mblidhet në kryeqytet në një tubim, që do të zhvillohet më 2 mars.

Sipas “Associated Press”, së cilës i janë referuar media të huaja prestigjoze, një raport i fundit mbi hetimin ndaj tij pritej në muajin Mars dhe kishte të ngjarë që të rekomandojë shkarkimin e Presidentit Meta nga pozicioni aktual.

Por presidenti tha se ai do të nënshkruajë një dekret atë ditë kundër asaj që ai e quajti një “grusht shteti” të qeverisë, që po kryhet përmes sistemit të drejtësisë.

Ai akuzoi qeverinë shqiptare për “uzurpim” të kushtetutës dhe tha se kjo lidhet me krimin e organizuar.

Vendi Ballkanik, sipas agjencisë së njohur të lajmeve, ka miratuar reformën në drejtësi, si një përpjekje për të çelur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kjo reformë synon goditjen e korrupsionit, për të siguruar që gjyqtarët dhe prokurorët të janë të pavarur nga politika.

Meta ka pohuar se kjo reformë – e miratuar tre vjet më parë – ka dështuar.

Partia Socialiste ka filluar me kohë procedurat e shkarkimit të tij, duke e fajësuar presidentin pas përpjekjes së tij të dështuar për të anuluar zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Meta – i cili dikur drejtonte një parti tjetër të krahut të majtë – argumentoi se një bojkot nga partitë e qendrës së djathtë të opozitës i bëri votimet e fundit jodemokratike dhe shtoi se ai është i shqetësuar se një konfrontim i dhunshëm civil do të shpërthente para 30 qershorit.

Autoritetet zgjedhore rrëzuan përpjekjen e tij, pasi socialistët kanë numrat e nevojshëm në parlament.

Vitin e kaluar, opozita bojkotoi parlamentin dhe votimet për zgjedhjet lokale, duke akuzuar qeverinë për manipulim votash dhe lidhje me krimin e organizuar.


Shtuar 19.02.2020 19:46