Raporti i frikshëm: Qindra mijë familje shqiptare do goditen nga varfëria

Ekonomia shqiptare, nga 15 më të rrezikuarat në botë nga koronavirusi. Ky është rezultati i raportit të Standard and Poor’s, sipas denoncimit të Partisë Demokratike.

Është pikërisht Jorida Tabaku që shprehet se raporti i institucionit prestigjioz, tregon se “nëse nuk veprohet nga qeveria menjëherë do të godasë shumë rëndë qindra mijë familje shqiptare”.

Kjo, sipas Tabakut, vjen nga fakti se “shqiptarët dhe mbi të gjitha shtresa e mesme që ka mbajtur peshën e taksave të larta, bizneset e vogla që mbajnë mbi 200 mijë familje pak mbi kufirin e varfërisë po goditen rëndë nga masat e marra prej pandemisë”, duke shtuar se “konsumi i qytetarëve ka rënë, investimi i bizneseve për të zgjeruar biznesin e tyre ka rënë. Pagat janë të ulëta ndërsa kostoja e jetesës është rritur”.

Raporti i Standard and Poor’s ka botuar një renditje vendesh që mund të goditen më rëndë nga pasojat e pandemisë, veçanërisht në sektorin e turizmit.


Shtuar 1.04.2020 10:17