16 emigrantë në makinë kundrejt fitimit, e pëson 26-vjeçari

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Të lidhura

None found

Transportonte 16 emigrantë të paligjshëm dhe drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt, vihet në pranga një 26-vjeçar.

Ndalohet edhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i dyshuar i tij.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatet e Policisë Korçë e Devoll, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip “Citroen” që e drejtonte pa leje drejtimi 16 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, bënë ndalimin edhe të shtetasit E. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.


Shtuar 10.09.2020 08:09