Me këngën e Eurovizion, Elhaida Dani përshëndet nga dritarja pas 1 muaji izolim (VIDEO)

Elhaida Dani prej thuajse një muaji ndodhet e izoluar në shtëpinë e saj në Trieste të Italisë. Gjatë këtyre ditëve ajo ka ndarë me ndjekësit në rrjete sociale copëza të vogla nga përditshmëria e saj, duke rrëfyer në formën e një ditari.

Së fundmi këngëtarja ka sjellë në versionin akustik këngën e saj “I’m alive” me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision”. Ajo është bashkuar me disa instrumentistë nga Shqipëria dhe të gjithë bashkë kanë realziuar në formën më të bukur versionin akustik.

Vetë kënga përcjell një mesazh të fortë shprese, ndaj Elhaida e ka përzgjedhur për ta ndarë me të tjerët dhe për të treguar se të gjithë bashkë do ta kalojmë edhe këtë situatë. Këngëtarja ka thënë se ka 29 ditë e mbyllur në shtëpi dhe se tashmë ka mësuar të vlerësojë edhe gjërat e vogla.

“Sot vendosa të dal në dritare dhe të bashkohem me muzikantët e mi të mrekullueshëm për të risjellë në versionin akustik një ndër këngët e mia më të dashura, këngën me të cilën përfaqësova vendin tonë në #Eurovision para disa viteve. Kjo lidhje është bërë nga Shqipëria në Itali dhe në momente si ky jam kaq mirënjohëse për muzikën, që na bashkon edhe kur jemi kaq larg. Po bëhet një muaj që ndodhem në izolim dhe çuditërisht sot jam plot me shpresë. Kam filluar të vlerësoj edhe më shumë gjërat e vogla që më rrethojnë, edhe sepse e di që kjo situatë nuk do të zgjasi përgjithmonë dhe atëherë kur të jemi më të qetë do të jemi akoma më pranë njëri tjetrit. Do të duhemi më shumë!”, ka shkruar këngëtarja përkrah këngës.


Shtuar 8.04.2020 07:19