Shkurtuan 5 vite e kërkuan dorëzimin, Xhaçka reagon për pasaportat diplomatike të futbollistëve

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar pas lajmit se futbollistët e kombëtares shqiptare do të dorëzojnë pasaportat diplomatike të marra në vitin 2016.

Xhaçka thekson se megjithëse lojtarët do të duhet të dorëzojnë pasaportat e marra deri më 30 qershor, asnjëri nuk humbet statusin e fituar 5 vite më parë.

Sipas ministres po bëhet “shumë zhurmë për asgjë”, pasi “Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi”.

“Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.

Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë.

Është kjo arsyeja përse djemtë tanë sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016”, thuhet në deklaratën e ministres.


Shtuar 1.04.2021 17:02