Forcat ukrainase janë duke e vazhduar rezistencën ndaj tentimeve të Moskës për të fituar kontrollin e qytetin lindor, Bahmut, të cilin do të mund ta kontrollojmë në tre deri në katër javë, ka thënë Yevgeny Prigozhin, i cili drejton grupin mercenar rus, Wagner.
Komenti, që i është atribuuar atij në Telegram, ka ardhur vetëm disa ditë pasi Prigozhin ka pretenduar se Bahmuti ka rënë në duart e forcave ruse.
Rusia është ende duke tentuar të shkëpusë linjat e furnizimit për ukrainasit, çka do të mundësonte hyrjen në qytet nga drejtime të ndryshme, si dhe shkatërrimin e “objekteve ushtarake kyçe”, ka thënë ai.
Prigozhin ka folur edhe për dhjetëra varreza të mercenarëve të grupit të tij.
“Kjo varrezë një ditë duhet të shndërrohet në vend përkujtimor për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ai, duke shtuar se trupat e tij janë përballur me humbje të mëdha në luftën për Bahmutin, në javët e fundit.
“Po, kjo varrezë është duke u rritur”, ka thënë ai.
Trupat ukrainase kanë luftuar ashpër për të mbrojtur Bahmutin kundër sulmeve të trupave ruse që janë duke u ndihmuar nga mercenarët e Wagnerit.
Pjesa më e madhe e qytetit tashmë është nën kontrollin rus, mirëpo njësitet ukrainase vazhdojnë të jenë të pozicionuara në pjesën perëndimore të këtij qyteti, i cili para se të shpërthente lufta i ka pasur rreth 70.000 banorë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel