Rrugorët në aksion! Arrestime, ndalime, gjoba e bllokim mjetesh luksoze në rrugët e Tiranës (VIDEO)

Patrulla të shtuara në lëvizje, të pajisura me kamera, radarë, alkooltestues, dronë e aparate fotografike, për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që bëjnë gara shpejtësie, drift, parakalime të gabuara apo që bllokojnë qarkullimin e lirë të automjeteve duke parkuar dyshe në rrugë, si dhe ata drejtues që drejtojnë mjetet nën efektin e alkollit, në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi.

Gjatë ditëve të fundit të vitit, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka treguar vëmendje të shtuar në menaxhimin e trafikut dhe konstatimin e shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit.

•Si rezultat i kontrolleve dhe monitorimit me anë të teknologjisë bashkëkohore, janë evidentuar dhe arrestuar 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 të tjerë, për drejtim pa leje drejtimi.

•Janë ndëshkuar me masë administrative me nga 20.000 lekë të rinj secili, 8 drejtues mjetesh që bënin drift në Bulevardin e Ri, në bulevardin “Migjeni” dhe në sheshin “Nënë Tereza”.

•Janë evidentuar, ndjekur dhe kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke bërë gara shpejtësie në Unazë të Re, në segmentin Liqeni i Thatë-TEG dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, 10 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative me nga 40.000 lekë të rinj secili.

•Janë ndëshkuar me nga 30.000 lekë secili, 24 drejtues mjetesh, për shkelje të semaforit.

•Janë ndëshkuar me nga 7.000 deri në 10.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit 6 muaj secili, 14 drejtues mjetesh, për mbajte të fëmijëve në vend të parë apo më keq akoma, në timon.

•Janë bllokuar 8 mjete luksoze, për mungesë të dokumentacionit.

•Janë pezulluar 30 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

•Janë vendosur 123 masa administrative, për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha.

Policia Rrugore e Tiranës, nisur dhe nga fluksi i madh i lëvizjes së automjeteve në drejtim të Tiranës, nëpërmjet të gjitha rrugëve lidhëse, por edhe nga fluksi i automjeteve në drejtim të qendrës, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, që të shmangin në maksimum lëvizjet e panevojshme, kryesisht ato drejt qendrës. Gjithashtu kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve që vijnë nga qarqet e tjera, që brenda kryeqytetit të përdorin mjetet e transportit publik dhe të mos përdorin mjetet private në qendër apo në rrugët e brendshme të kryeqytetit.

Policia Rrugore e Tiranës uron të gjithë qytetarët, gëzuar vitin e ri dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë./albeu.com/


Shtuar 29.12.2021 12:06