Nga Paul Krugman “New York Times”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Narrativa mbi Kinën ka ndryshuar me një shpejtësi mbresëlënëse kohët e fundit, nga një lokomotivë e pandalshme në një gjigant mjeran dhe të pafuqishëm. Por si ndodhi kjo? Unë mendoj se shumë artikujt mbi Kinën u japin shumë peshë ngjarjeve dhe politikës së kohëve të fundit.
Është e vërtetë: Xi Jinping është një udhëheqës kaotik. Por problemet ekonomike të Kinës janë krijuar gradualisht dhe për një kohë të gjatë. Dhe ndërsa dështimi i Xi-së për t’i trajtuar këto probleme në mënyrën e duhur, pasqyron pa asnjë dyshim kufizimet e tij personale si udhëheqës, situata aktuale pasqyron gjithashtu edhe disa paragjykime të thella ideologjike brenda partisë në pushtet të Kinës.
Le të fillojmë me perspektivën afatgjatë. Për 3 dekada me radhë, qëkur Deng Xiaoping mori pushtetin në 1978 dhe nisi zbatimin e reformave të para të bazuara tek tregu, Kina përjetoi një rritje ekonomike shumë të madhe. Në atë periudhë, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me më shumë se 4 herë.
Për të qenë të ndershëm, kjo gjë ka qenë e mundur vetëm sepse Kina e nisi rrugëtimin si një vend teknologjikisht i prapambetur, dhe ishte në gjendje të rriste me shpejtësi produktivitetin duke adoptuar teknologjitë që ishin tashmë të zhvilluara jashtë vendit. Por shpejtësia e përshtatjes së saj ishte gjithsesi e jashtëzakonshme.
Megjithatë, që nga fundi i viteve 2000, Kina duket se ka humbur shumë nga dinamizmi i saj.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se produktiviteti total i faktorëve – një parametër matjeje i efikasitetit me të cilin përdoren burimet – është rritur vetëm përgjysmë më shpejt që nga viti 2008 sesa në dekadën e mëparshme.
Vlerësimet të tilla duhen marrë sigurisht me rezerva, por fakti është se ka pasur një ngadalësim të qartë në shkallën e përparimit teknologjik. Dhe Kina nuk ka më në favorin e saj demografinë për të mbështetur një rritje ekonomike furishme.
Popullsia e saj në moshë pune arriti kulmin rreth vitit 2015, dhe që atëherë ka ardhur në rënie.
Shumë analistë ia atribuojnë humbjen e dinamizmit të Kinës presidentit kinez Xi Jinping, që u ngjit në pushtet në vitin 2012, dhe që nga ajo kohë ka qenë vazhdimisht gjithnjë e më armiqësor ndaj ndërmarrjeve private sesa paraardhësit e tij.
Por kjo lloj analize më duket se është tejet absurde. Sigurisht që fokusi i Xi në kontrollin e rreptë shtetëror dhe arbitraritetin nuk ka ndihmuar aspak në ecurinë ekonomike. Por fakti është se ngadalësimi ekonomik i Kinës nisi që para se Xi të merrte pushtetin.
Dhe në përgjithësi askush nuk është shumë i aftë në shpjegimin e ritmeve të rritjes ekonomike afatgjatë. Ekonomisti i famshëm i Massachusetts Institute of Technology (MIT), Robert Solow, ka thënë në një rast se përpjekjet për të shpjeguar arsyen pse disa vende rriten më ngadalë se të tjerat përfundojnë gjithmonë në “debate sociologjike amatore”.
Por ndoshta ka pasur arsye shumë më të thella pse Kina nuk mund të vazhdonte të rritej si përpara vitit 2008. Në çdo rast, është e qartë se ky vend nuk mund të mbante të njëjtat norma të larta të rritjes ekonomike të dikurshme. Megjithatë, një rritje më e ngadaltë nuk duhet të përkthehet në një krizë ekonomike.
Siç e kam vënë në dukje shumë herë, edhe Japonia, një vend që shpeshherë cilësohet si narrativa e fundit paralajmëruese, ka bërë mjaft mirë që nga ngadalësimi i saj ekonomik në fillim të viteve 1990. Por përse situata duket kaq e zymtë në Kinë?
Në nivelin bazë, Kina po vuan nga paradoksi i kursimit, që thotë se një ekonomi mund të vuajë nëse konsumatorët përpiqen të kursejnë shumë. Në rast se bizneset nuk janë të gatshme të marrin hua dhe më pas t’i investojnë të gjitha paratë që konsumatorët po përpiqen të kursejnë, rezultati është me siguri rënia ekonomike.
Një rënie e tillë mund të zvogëlojë shumën që janë të gatshëm të investojnë bizneset. Ndaj përpjekja për të kursyer më shumë mund të reduktojë investimet. Dhe Kina ka një normë jashtëzakonisht të lartë të kursimeve kombëtare. Pse?
Unë nuk jam i sigurt se ka një konsensus mbi arsyet. Por një studim i FMN-së, argumenton se nxitësit më të mëdhenj janë niveli i ulët i lindjeve – njerëzit nuk mendojnë se mund të mbështeten tek fëmijët e tyre për pensionin – dhe një rrjet i papërshtatshëm i sigurisë sociale.
Kësisoj ata nuk mendojnë se mund të mbështeten as tek publiku në tërësi. Për sa kohë që ekonomia ishte në gjendje të rritej jashtëzakonisht shpejt, bizneset gjetën mënyra të dobishme për t’i investuar të gjitha ato kursime. Por tani kjo lloj rritjeje i përket së shkuarës.
Rezultati është se Kina ka sot një sasi të madhe kursimesh, që të gjitha pa ndonjë destinacion të mirë për t’u përdorur. Dhe historia e politikës kineze ka qenë një nga përpjekjet gjithnjë e më të dëshpëruara për ta maskuar këtë problem.
Për njëfarë kohe Kina arriti të ruajë nivelin e kërkesës, duke krijuar suficite të mëdha tregtare, edhe pse kjo qasje rrezikoi një reagim proteksionist nga vendet e tjera. Pastaj Kina i kanalizoi kursimet e tepërta në një flluskë gjigante të pasurive të paluajtshme.
Por tani kjo flluskë po shpërthen. Përgjigja e qartë është rritja e shpenzimeve të konsumatorëve. Detyrimi i kompanive shtetërore që të ndajnë me punëtorët më shumë nga fitimet e tyre. Forcimi i sistemit të mirëqenies sociale. Dhe në një periudhë afatshkurtër, qeveria mund t’u japë njerëzve para të thata, duke u dërguar çeqe çdo muaj, siç bëri SHBA-ja gjatë pandemisë.
Por pse nuk po ndodh kjo gjë? Disa raporte sugjerojnë se ka disa arsye ideologjike pse Kina nuk do të bëjë atë që është logjike. Udhëheqja e këtij vendi vuan nga një përzierje e çuditshme e armiqësisë ndaj sektorit privat (duke u dhënë njerëzve mundësinë për të shpenzuar më shumë, do të zbehte kontrollin e partisë mbi popullin); ambicieve jorealiste (Kina supozohet të investojë në të ardhmen, duke mos e shijuar jetën tani për tani); dhe një lloj kundërshtimi puritan ndaj një rrjeti të fortë të sigurisë sociale, me Xi-në që mendon se ajo mund të dobësojë etikën e punës.
Rezultati është një paralizë e plotë e politikave, dhe me Kinën që bën përpjekje me gjysmë zemre për të nxitur të njëjtat lloje stimujsh të udhëhequr nga investimet, që ka përdorur edhe në të kaluarën.
A duhet të mos e llogarisim më Kinën si një gjigant të ekonomisë globale? Sigurisht që jo. Kina mbetet një superfuqi e mirëfilltë, me një kapacitet të madh për të koordinuar veprimet e saj.
Herët a vonë, ajo ndoshta do t’i kapërcejë paragjykimet që po e dëmtojnë përgjigjen ndaj krizës aktuale. Por vitet e ardhshme mund të jenë shumë të këqija për këtë vend. /albeu.com