E tashmja dhe e ardhmja e furnizimit me energji të Evropës

“Der Spiegel”

Shkretëtira e Arabisë Saudite mund të duket e pafundme, sidomos këtu në pjesën veriperëndimore të vendit, ku njerëzit mund të ndeshen shumë rrallë. Për orë të tëra, ka vetëm rërë, shkëmbinj, vapë dhe herë pas here rrugë bosh. Dhe duket si diçka joreale, kur kolona të gjata kamionësh shfaqen papritur para bregut të Detit të Kuq.

Ato ndiqen nga një tufë ekskavatorësh, të cilët gërmojnë nëpër duna për disa dhjetëra kilometra. Kritikët ankohen se planet për atë që do të ndërtohet këtu, nuk janë gjë tjetër veçse ajri i nxehtë. Tek e fundit, ato duken shumë të çmendura për të qenë të vërteta: një rajon model i quajtur NEOM, i madh sa shteti gjerman i Hesenit, që ngrihet nga shkretëtira, i kompletuar me parqe teknologjike, prodhim industrial, dhe një qytet futuristik 170 kilometra i gjatë, 500 metra i lartë, 200 metra i gjerë, tërësisht neutral ndaj CO2.

Banorët do të lëvizin nëpër metropol me taksi fluturuese dhe me trena me shpejtësisë të lartë. Kostoja? 500 miliardë dollarë, vetëm për fazën e parë. Çmenduri? Përkundrazi, projekti shkakton më shumë tronditje dhe frikë. Ai është për botën një dëshmi se çfarë mund të bëhet me burimet monetare praktikisht të pakufishme.

Promotori i projektit është Mohammad bin Salman, Princi i Kurorës dhe sundimtari i Arabisë Saudite. Deri në vitin 2030, ky vend do të jetë transformuar në një komb të teknologjisë së lartë, i pavarur nga nafta dhe më i fuqishëm nga sa është sot. Është një plan monstruoz, gati surreal. Por paratë janë atje, madje më shumë se kurrë më parë.

Tre trilionë e gjysmë dollarë, një shumë e paimagjinueshme, do të derdhen në arkat e 6 shteteve të Gjirit në 5 vitet e ardhshme, nëse çmimet e naftës dhe gazit mbeten po aq të larta sa janë sot. Një dhuratë kjo e Vladimir Putin. Për shkak se Evropa nuk është më e interesuar të importojë energji nga Rusia, nafta nga Arabia Saudite dhe gazi natyror nga Katari janë tani në qendër të vëmendjes, pavarësisht sa i lartë është çmimi.

Projekti që po zbatohet aktualisht në shkretëtirë, është ndoshta më gjigant sesa çdo tjetër që nga ndërtimi i piramidave. Plot 30.000 punëtorë ndërtimi po punojnë tashmë në NEOM, dhe shumë shpejt shifra do të arrijë në 300.000. Brenda vitit, është krijuar një qytezë me 4.000 inxhinierë, teknikë dhe planifikues projektesh nga e gjithë bota, e kompletuar me pishina, shkolla, restorante dhe fusha tenisi. Rreshtat e gjatë të shtëpive njëkatëshe shtrihen pas telave me gjemba dhe portave të sigurisë.

Askush nuk e di se çfarë do të bëhet përfundimisht me projektin – nëse do të jetë një metropol futurist apo një dështim i tmerrshëm – por udhëheqësit sauditë janë kryesisht të interesuar për mesazhin që qëndron pas tij, si brenda dhe jashtë vendit. Në një kohë kur Perëndimi po vuan dhe kur Kina po tregon dobësi ekonomike, ekonomitë e Gjirit nuk shohin gjë tjetër veçse një të ardhme të ndritur, dhe optimizmi i tyre është i pakufi.

Disa shembuj. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, të ardhurat për frymë janë po aq të larta sa në Gjermani. Me rritje ekonomike prej 7.6 për qind këtë vit, Arabia Saudite është ekonomia me rritjen më të shpejtë nga të gjitha vendet anëtare të G-20. Katari ka shpenzuar miliarda dollarë për të pritur Kupën e Botës të këtij viti.

Fondet sovrane të 6 shteteve të Gjirit kanë një vlerë të kombinuar prej 4 trilionë eurosh, dhe ato investojnë në mbarë botën, përfshirë kompanitë gjermane si VW, Porsche dhe RWE. Apo për të blerë ekipe futbolli, garat në Formula 1, apo një ligë të tërë të golfit profesionist. Po ashtu, Arabia Saudite madje ka programin e saj hapësinor.

Ndërkohë, rreth 70 për qind e popullsisë në Gadishullin Arabik është nën 30 vjeç. Pra është e qartë se shtetet e Gjirit do të luajnë një rol kyç në rendin e ri botëror që po krijohet aktualisht. Katari dhe Irani ndodhen mbi depozitat më të mëdha të gazit natyror në planet, ndërsa Arabia Saudite ka rezervën e dytë më të madhe të naftës.

Kjo pasuri ishte një levë e madhe për ndikimin global edhe në të kaluarën. Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia, dhe mënjanimi i kësaj të fundit nga Evropa si burim furnizimi, e ka rritur ndjeshëm rolin e këtij rajoni. Praktikisht, Perëndimi nuk ka mundësi të tjera në dispozicion.

Dhe ndikimi nuk mbaron tek nafta dhe gazi. Burimi i energjisë të së ardhmes është hidrogjeni, i prodhuar nga dielli dhe era. Shkretëtirat e Gadishullit Arabik ofrojnë kushte të përsosura për burime të tilla energjie të rinovueshme. Dhe Gjermania premton të jetë destinacioni kryesor.

Por ky zhvillimi nuk është pa rrezik: bumi energjetik po vjen në një periudhë trazirash gjeopolitike të rëndësishme. Globalizimi po ngadalësohet, dhe bota duket se është duke u ndarë sërish në blloqe: Kina kundër Perëndimit; autokracitë kundër demokracive. Befas aleancat toksike duken të jenë një mundësi shumë reale.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, politikanët kryesorë në Berlin kanë bërë presion për t’i lidhur në këtë botë shumëpolare, vendet që kanë ndikim në Evropë. Ose të paktën, për të shmangur afrimin e tyre të madh me Rusinë apo Kinën. Dhe Gjermania nuk është e vetme në këtë qasje.

Në fakt, krerët e qeverive perëndimore po dialogojnë prej muajsh me sundimtarët arabë: Presidenti francez Emmanuel Macron, ish-kryeministri britanik Boris Johnson, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden kanë kryer muajt e fundit vizita në rajon.

Madje, Bashkimi Evropian synon të emërojë një të dërguar special për Gjirin. Dhe kjo e fundit tregon shumë për ekuilibrin e ri të fuqive. Por më domethënës është fakti që shumë nga këto udhëtime nuk kanë dhënë rezultate. Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, përfaqësues i Partisë së Gjelbër ambientaliste, u tall gjerësisht për thirrjet e tij gati të dëshpëruara gjatë vizitës në pranverë në Katar në kërkim të gazit natyror.

Deri më sot nuk ka pasur asnjë kontratë për blerjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Edhe kur Biden, gjatë vizitës së tij në Riad verës që shkoi, kërkoi që ky vend të rriste prodhimin e naftës për të ulur çmimet e gazit në SHBA, sauditët bënë të kundërtën.

Në këto kushte si duhet të sillet Perëndimi me autokracitë e domosdoshme ekonomikisht dhe politikisht, por që janë jodemokratike, të sunduara nga despotë, dhe që shpesh tregojnë pak respekt për të drejtat e njeriut dhe i trajtojnë si mallra gratë dhe emigrantët?

Deri një vit më parë, ndoshta përgjigjja do të kishte qenë po. Pra transformim i tyre përmes tregtisë dypalëshe. Por tanket e Putinit e kanë diskretituar këtë parim që udhëhoqi për dekada politikën ekonomike gjermane në skenën ndërkombëtare.

Ndaj, politikanët gjermanë janë shumë të kujdesshëm sa herë që bëjnë një vizitë në rajon. Në takimin e tij të parë me princin saudit në shtator, kancelari gjermane Scholz dëgjoi një monolog të gjatë rreth vizioneve të tij ekonomike. Më pas, në një bisedë private, kancelari pretendon se ka folur mbi vrasjen e gazetarit Khashoggi. Por me shumë kujdes.

Gazetarët që e shoqëruan Scholz në atë vizitë 3-ditore nuk arritën ta takonin princin e kurorës. Askush që mund të bënte ndonjë pyetje kritike nuk u lejua t’i afrohej. Dhe kancelari nuk do, që në asnjë rrethanë të distancohet nga despotët arabë.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 15.11.2022 08:49