Nxehtësi vdekjeprurëse, ja kush është qyteti ku temperaturat shënojnë rekord

Punonjësit dhe vullnetarët mblidhen dy herë në ditë për të shpërndarë furnizime me ujë dhe freskuese për banorët e qytetit Feniks të Arizonës, ku temperaturat ditore arrijnë 43 gradë Celsius.

“Temperaturat variojnë nga 45 gradë Celsius në 46 gradë. Është shumë nxehtë”, thotë Emilio Rodriguez, banor i qytetit Feniks.

Një vit më parë qyteti krijoi një njësi të posaçme për të trajtuar situatën e krijuar nga temperaturat e larta, e cila drejtohet nga shkencëtari dhe eksperti i klimës David Hondula.

“Temperaturat gjatë natës po rriten më shpejt se temperaturat gjatë ditës. Sezoni i verës është zgjatur. Jemi me fat sepse nuk kemi arritur temperaturën rekord të shënuar në vitin 1990”.

 

 

Atë vit temperatura arriti në 50 gradë Celsius. I nxehti përvëlues mund të jetë vdekjeprurës për më shumë se 5 mijë të pastrehët e atij qyteti.

Disa strehohen në makina. Të tjerë ngrenë tenda në parqe ose në trotuare, nga ku duhet të largohen tre herë në javë gjatë pastrimeve të komunales.

Punonjësit e qytetit, si Mia Sanford, ofrojnë ndihmë për të gjetur strehim.

“Ata mund të më telefonojnë, të dërgojnë email, apo mesazhe që që t’i ndihmoj”, thotë për Zërin e Amerikës Mia Stanford, punonjëse e sherbimeve sociale të qytetit.

Por qiraja po rritet po aq shpejt sa temperatura dhe nuk ka banesa të mjaftueshme për shtresën e varfër.

Libraritë, bizneset dhe ambjentet sportive po përdoren si qendra të përkohshme ku njerëzit mund të rrinë në ajër të kondicionuar dhe të marrin pije freskuese falas.

Në disa rrugë është vënë një shtresë mbrojtëse pasi asfalti është shkrirë nga i nxehti. Qyteti ka mbjellë mijëra pemë, jo aq sa duhet, për të bllokuar rrezet e forta të diellit.

David Hondula, i cili drejton përpjekjet e qytetit për të luftuar ndryshimet klimatike, thotë për Zërin e Amerikës se në qendër të vëmendjes janë shtesat e rrezikuara me të ardhura të ulta.

“Po përpiqemi të tërheqim vëmendjen tek nevojat për banesa për të varfërit dhe strehimore, sepse këto investime do të ndihmonin shtresat e varfëra të shmangin sëmundjet e lidhura me temperaturat e larta”.

Majami, Athina, Freetown në Sierra Leone dhe qyteti Los Angelos janë mes qyteteve të tjera që kanë ngritur njësi të posaçme për trajtimin e situatës së krijuar nga temperaturat e larta.

Një sfidë tejet e vështirë për shumë qytete në mbarë botën për të ndihmuar shtresat në nevojë. /VOA


Shtuar 24.07.2022 20:59