Lufta në Lindjen e Mesme, forcat e Izraelit depërtojnë në thellësi të Gazës

Izraeli vazhdoi edhe këtë të shtunë sulmet ajrore dhe me artileri në qendër dhe jug të Gazës, thanë banorët.

Luftimet e mbështetura nga ajri janë përqëndruar në rajonet Khan Younis, Nuseirat dhe Maghazi. Njoftimet nga zyrtarët lokalë bëjnë me dije se spitalet janë mbushur me palestinezë të plagosur.

Në 24 orët e fundit, sulmet kanë lënë të vrarë 165 persona dhe kanë plagosur 250 të tjerë në Gazë, njoftuan autoritetet shëndetësore në territorin e kontrolluar nga grupi Hamas.

Pothuajse e gjithë popullsia prej 2.3 milionë banorësh në Gazë është detyruar të largohet si pasojë e goditjeve të Izraelit, që u nxitën nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi që la të vrarë 1200 persona ndërsa 240 të tjerë u morën peng prej këtij grupi.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që të ulë nivelin e sulmeve në javët e ardhshme dhe të përqëndrohet në sulme që kanë objektiv udhëheqës të Hamasit, edhe pse deri më tani, autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ndonjë sinjal për ta bërë një gjë të tillë.

Ndërkohë të premten, administrata e Presidentit Biden miratoi një shitje emergjence armësh për Izraelin. Kjo është hera e dytë brenda një muaji që administrata e Presidentit Biden përdor vendimin e emergjencës duke anashkaluar shqyrtimin që bëhet nga Kongresi për shitjet e armatimeve vendeve të tjera.


Shtuar 30.12.2023 18:55