Një gjyshe 95-vjeçare është regjistruar si pacienti më i vjetër që shërohet nga COVID-19. Ajo u diagnostikua me koronavirus në fillim të muajit dhe në datën 5 mars u shtrua në spital. 95-vjeçarja është më e vjetra në provincën italiane të Modenës, që shërohet nga sëmundja.
Alma Clara Corsini, nga Fanano, u shtrua në një spital në provincën veriore të qytetit të Pavullos pasi shfaqi shenja të virusit. Megjithatë, stafi mjekësor tani ka konfirmuar se trupi i pensionistes ka treguar një reagim të jashtëzakonshëm dhe ka bërë një rikuperim të plotë.
Corsini tha për gazetën italiane “Gazzetta Di Modena”: “Po, po, po, jam mirë. Ata ishin njerëz të mirë që kujdeseshin për mua dhe tani do të më dërgojnë në shtëpi brenda pak kohe”. 95-vjeçarja është kthyer në shtëpi.
Specialistët në spital shtuan se gjyshja ishte në gjendje të shërohej pa terapi antivirale – ilaçe të cilat i administrohen një pacienti për t’i ndihmuar ata të luftojnë një infeksion viral.
Shërimi më i fundit vjen pasi mjekët njoftuan se një italian 79-vjeçar nga Liguria, me virusin, ishte shëruar me ndihmën e një ilaçi eksperimental të Ebolas, pas 12-ditësh në spital.
Ilaçi, gjithashtu, tregoi sukses në një grua të sëmurë kritike në SHBA dhe 14 amerikanë që u testuan pozitivë për koronavirusin, pasi u infektuan në anijen “Diamond Princess”.
Të dielën, Italia ndaloi udhëtimet brenda vendit në një përpjekje tjetër për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Një muaj pasi vdekja e parë nga virusi infektiv u regjistrua në Itali, qeveria lëshoi gjithashtu një urdhër që ngrin të gjithë veprimtarinë e biznesit që konsiderohet jo thelbësor, në një përpjekje për të mbajtur gjithnjë e më shumë njerëz në shtëpi. Bizneset kanë kohë deri të mërkurën të mbyllin operacionet dhe do të duhet të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill.