Është përfolur shumë e madje janë publikuar edhe lajme të ndryshme për përhapjen e koronavirusit përmes valëve 5G.
Por këtë e ka mohuar Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka thënë se koronavirusi nuk mund të përhapet përmes radiovalëve. “Viruset nuk mund të udhëtojnë përmes rrjetit të radiovalëve. COVID-19 është duke u përhapur edhe në shumë vende, ku nuk ka fare rrjet 5G”, thuhet në njoftimin e OBSH-së.
OBSH-ja ka përsëritur se koronavirusi shpërndahet përmes spërklave, të cilat nxirren nga rrugët respiratore kur një person i sëmurë kollitet, teshtin ose flet. “Njerëzit mund të infektohen edhe përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara dhe pastaj nëse prekin sytë, gojën ose hundën”, thuhet në njoftimin e OBSH-së.