Komiteti Shqiptar i Helsinkit ju ka bërë apel forcave politike që të mos kufizojnë raportimin mediatik për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Përmes një deklarate për shtyp KSHM i bën thirrje subjekteve politike që të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe të mos imponojnë mediat me materiale të regjistruara ose të përgatitura më herët, por të jenë këto të fundit që të raportojnë situatën reale.
Njoftimi:
Subjektet Zgjedhore të mos kufizojnë mbulimin mediatik për zgjedhjet e qeverisjes vendore të dt.14 Maj 2023, në respekt të pavarësisë editoriale të mediave
Prej vitit 2009 e në vazhdim, madje edhe në raportin e fundit për zgjedhjet parlamentare të datës 25 Prill 2021, OSBE/ODIHR ka rekomanduar të rishikohet neni 84/1 i Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e para-regjistruara të prodhuara nga partitë politike, të transmetohen gjatë dhënies së lajmeve, gjë që krijon avantazh të padrejtë, sidomos për partitë kryesore politike. OSBE/ODIHR vërejti në këto zgjedhje, por edhe më herët, se transmetuesit u frenuan të zhvillojnë një mbulim të thelluar dhe analitik të të gjitha subjekteve zgjedhore. Kjo, e kombinuar edhe me përmbajtjen e prodhuar nga vetë partitë në programet informative, që kufizoi mundësinë e zgjedhësve për të bërë zgjedhje të informuara. Duke interpretuar ngushtë ligjin dhe rregulloret e KQZ-së, transmetuesit shpesh zgjodhën të mos merrnin pjesë në ngjarjet e fushatës, gjë që rezultoi në mungesë të mbulimit gjithëpërfshirës dhe objektiv të subjekteve dhe bëri të paqartë ndarjen midis përmbajtjes editoriale dhe reklamës politike.
Vlen të përmendet gjithashtu se megjithëse në vitin 2020, në Kodin Zgjedhor, u bënë mjaft shtesa dhe ndryshime, neni 84/1 mbeti po ai, i ndryshuar në vitin 2012. KShH shpreh keqardhjen se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, deri më tani, për shkak të polarizimit të tejskajshëm nuk arriti të shqyrtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të adresuara në zgjedhjet parlamentare të dt.25 Prill 2021 dhe rekomandimet e tjera të pashqyrtuara në raporte të mëhershme të tij.
Në të njëjtën linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it është edhe jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ), e cila ka theksuar se zgjedhjet e lira dhe liria e shprehjes, e në mënyrë të veçantë liria e debatit politik, qëndrojnë në themelet e një demokracie. Këto dy liri janë të ndërlidhura dhe funksionojnë për të përforcuar njëra-tjetrën. Është veçanërisht e rëndësishme në periudhën para zgjedhjeve, opinionet dhe informacionet e të gjitha llojeve të lejohen të qarkullojnë lirisht . Ky parim zbatohet si për zgjedhjet kombëtare ashtu edhe për ato lokale . Kjo gjykatë ka theksuar gjithashtu se roli monitorues i medias në periudhën zgjedhore përfshin ushtrimin e pavarur të lirisë së shtypit, në bazë të zgjedhjes së lirë editoriale që synon të japë informacion dhe ide për tema me interes publik. Veçanërisht, diskutimi i kandidatëve dhe programeve të tyre kontribuon në të drejtën e publikut për të marrë informacion dhe forcon aftësinë e votuesve për të bërë zgjedhje të informuara ndërmjet kandidatëve që konkurrojnë në zgjedhje .
KShH vlerëson se, në funksion të plurarizmit mediatik, lirisë editoriale dhe nevojës për të verifikuar informacion gjatë periudhës zgjedhore, është shumë e rëndësishme që media të mos jetë “e detyruar” apo “kushtëzuar” ti referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike, duke përfshirë këtu filimimet e pararegjistruara, programet e disponueshme në formatet dixhitale që shkarkohen në internet (podcast), apo forma të tjera të transmetimit live që krijojnë një mjedis vetë-censurues, tepër të dëmshëm për lirinë e medias në vendin tonë.
Pavarësisht nga fakti se legjislacioni ynë zgjedhor nuk është ndryshuar në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, KShH i sugjeron subjekteve zgjedhore të konkurrojnë në mënyrë të ndershme dhe transparente karshi publikut, duke i mundësuar medias hapësirën e nevojshme, për të mbuluar në mënyrë të pavarur dhe të lirë aktivitetet e tyre. Në të kundërt, kufizimi i hapësirave të transmetimit të medias do të krijonte një mjedis tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve në vendin tonë.
Vlen gjithashtu të theksohet se në Barometrin Kombëtar të Lirisë së Medias në Shqipëri, të realizuar nga KShH për vitin 2021, punonjësit e medias të anketuar listuan një sërë ngjarjesh, që sipas tyre cenuan lirinë e medias përgjatë vitit 2021 ndër të cilat ishte krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim, e cila kufizon hapësirën që kanë gazetarët për të kërkuar prononcime të drejtpërdrejta nga përfaqësuesit e ekzekutivit si dhe fushata zgjedhore dhe vijimi i traditës së kasetave të gatshme. Rastet e censurës dhe vetë-censurës u pohuan gjithashtu në masë të konsiderueshme, nga rreth 45% e të anketuarve .
Njëkohësisht, në kuadër të zgjedhjeve vendore të dt.14 Maj, KShH i sugjeron KQZ-së që të ketë në konsideratë këtë problematikë dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, gjatë fushatës së ligjshme zgjedhore që fillon në datën 14 Prill 2023, çka do ti shërbente barazisë proporcionale të subjekteve zgjedhore dhe do të respektonte të drejtën dhe lirinë e medias audiovizive.