Vetëvendosje i përgjigjet Ramës pasi thumboi Kurtin: Je doganieri i Serbisë

Përfaqësuesi i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë Boiken Abazi ka reaguar pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës sot në Pallatin e Kongreseve, që firmosën disa marrëveshje. Abazi thotë se Edi Rama është kthyer në doganierin e Serbisë.

“Rama, doganieri i Serbisë. Edi Rama na tregoi sot se si Shqipëria do fitojë nga përdorimi i Portit të Durrësit prej Serbisë, dhe se si, sipas tij, këtë e di çdo ekonomist. Në fakt çdo ekonomist me dy pare mend e di që buxheti i shtetit dhe mirëqenia rriten kur rritet prodhimi e punësimi i një vendi. Çdo ekonomist e ka të qartë se Serbia ka ekonominë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, dhe se Shqipëria ka aktualisht një bilanc tregtar negativ me Serbinë.

Çdo ekonomist e kupton se me hapjen totale të tregut shqiptar ndaj Serbisë ky bilanc negativ do përkeqësohet përmes vërshimit të mallrave serbe në tregun shqiptar, duke goditur sektorët e prodhimit dhe punësimin. Çdo ekonomist e di se Porti i Durrësit në funksion të Serbisë vetëm sa e lehtëson ekspansionin dhe dominimin ekonomik të Serbisë në Kosovë e Shqipëri.

Çdo ekonomist e kupton se të ardhurat që do nxjerrë dogana e Portit të Durrësit nga mallrat e Serbisë do jenë kosto që do i faturohet në fund shqiptarëve që do u shkatërrohet potenciali prodhues e punësimi. Mirëpo Rama nuk foli sot si ekonomist por si doganier. Rama foli sot si doganier i Serbisë” shkruan ai.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me homologun kosovar Avdullah Hoti sot thumboi paraardhësin e tij në detyrë Albin Kurti për qëndrimin ndaj Shengenit Rajonal. Rama tha se Kosova tashmë është kthyer në rrugën e duhur të dialogut dhe përkatësisë në partneritet me SHBA dhe BE

Së pari faktet, viktimat e kohës sonë, faktet flasin për një progres të prekshëm në të gjitha drejtimet e bashkëpunimit dhe tregojnë se asnjë marrëveshje e nënshkruar mes nesh nuk ka mbetur në letër. Marrëveshjet ose janë zbatuar ose janë në zbatim.


Shtuar 2.10.2020 20:58