U lirua pak javë më parë, “snajperisti” gati t’i rikthehet qelisë

Prokuroria kërkon rikthimin në burg të Ergys Kolaverit të liruar më 16 janar nga gjykata e apelit Tiranë.

Kolaveri ishte dënuar me 20 vite burgim nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda si të implikuar në atentatin me snajper që kishte në shënjestër hasmin e tij Gazmir Dacin.

Ky i fundit mbahej në paraburgimin e Vaqarrit si i dyshuar për vrasjen e vëllait të Kolaverit , Valmir Kolaveri dhe plagosjen e rëndë të Robert Kolaverit që më pas solli edhe përplasjen për shkak të gjakmarrjes.

Lirimi i Kolaverit erdhi pas transformimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda në gjykatë kundër korrupsionit, çka solli edhe rigjykimin e tij pasi vepra e vrasjes së ngelur në tentativë për shkak të gjakmarrjes nuk ishte më kompetencë e SPAK.

Por gjatë kësaj kohe prokurorja e çështjes së themelit Arta Marku duhet të kryente disa veprime hetimore shtesë.

I dënuari nga shkalla e parë me 20 vite burg ndërkohë nuk ka qëndruar duarkryq por ka kërkuar lirimin me argumentin se afati i qëndrimit në paraburgim kishte përfunduar prej 6 muajsh, një pretendim që u konstatua i drejtë nga gjykata.


Shtuar 5.03.2020 09:22