U dënua me 15 vite burg për vrasje, Konjari letër ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës Franceze

Domart Konjari, i cili një ditë më parë u dënua me 15 vite burg i ka dërguar një letër ambasadës franceze në Shqipëri, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe në fund mediave.

Në letrën, që avokatët e tij i kanë drejtuar institucioneve thuhet se është shkelur Konventa e së të Drejtave të Njeriut, të drejtat kushtetuese, proceduriale dhe ligjore.

Në letër ai shkruan se GJKKKO dje dha një vendim penal të paprecedent, vendim që sipas tij ka minuar të drejtat themelore të njeriut. Konjari deklaron se konkluzionet e avokatëve nuk u lexuan në seancën e dhënies së vendimi dhe se Gjykata dje ka dhënë një vendim pa praninë e tyre.

Ndërkohë ai mohon akuzën e vrasjes, duke theksuar se ndaj tij nuk është regjistruar asnjëherë një akuzë e tillë në prokurori.

“Ambasada Franceze duhet të reagojë për këto shkelje të të drejtave themelore të njeriut në dëm të Z.Domart Konjari pasi Shteti Francez e ka pajisur me Statusin e Refugjatit këtë shtetas, dhe si rrjedhojë ka për detyrë ti ofrojë një mbrojtje në bazë të Konventave Ndërkombëtare të përmendur në këtë material”, shprehet Konjari në letrën e formuluar nga avokatët.

Konjari akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge”, “krijimi i organizatave kriminale”, por edhe një seri vrasjesh. Emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Në dosjen e tij përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”. Vrasja ndodhi pranë Shkollës së Kuqe, në Tiranë.

Më pas emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.


Shtuar 15.09.2020 10:19