Tri raketa qëllojnë ambasadën amerikane në Bagdad, ka të plagosur

Të paktën tri raketa kanë goditur ambasadën amerikane në kryeqytetin e Irakut, Bagadad.

Një raketë ka goditur kafiterinë e ambasadës derisa dy të tjera kanë rënë në një distancë të afërt, i ka thënë një burim agjencisë së lajmeve, AFP.

Të lidhura

None found

Të paktën tre persona janë plagosur, kanë thënë për Reuters, disa burime të sigurisë.

Ky incident do të shënonte herën e parë në disa vjet që është plagosur stafi i ambasadës amerikane si pasojë e sulmeve të tilla.

Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë, mirëpo Shtetet e Bashkuara në të kaluarën kanë fajësuar fraksionet ushtarake të përkrahura nga Irani në Irak.

Kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi e ka dënuar sulmin, duke thënë se vazhdimësia e sulmeve të ngjashme “e shtyn Irakut drejt kthimit në fushëbetejë”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë: “Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Irakut që të përmbushë obligimet e saj për të mbrojtur hapësirat diplomatike”.

Në sulmet e fundit janë sulmuar ose ambasada, ose baza ushtarake irakiane, nëpër të cilat ka staf të angazhuar amerikan.

Iraku është përfshirë së fundmi në përshkallëzim të tensioneve që ekzistojnë mes SHBA-së dhe Iranit.

Mes tjerash edhe për shkak të vrasjes së komandantit iranian, Qasem Soleimani nga forcat amerikane më 3 janar në Bagdad.

Forcat amerikane kanë vrarë edhe liderin e grupit militant, Kataib Hezbollah, Abu Mahdi al-Muhandis, që përkrahet nga Irani.

Kleriku i fuqishëm fetar, Moqtada al-Sadr ka organizuar protesta kundër SHBA-së, me qëllim të rritjes së presionit për largim të trupave amerikane nga Iraku. REL


Shtuar 27.01.2020 07:22