Si po i jep “dritën jeshile” krimit në Shqipëri Ministri i Brendshëm me heshtjen e tij

Oliverda Allmuça

Diskursi publik i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj mbështetet mbi sulme politike të kundërshtarëve, duke shmangur argumenta mbi fakte konkrete, madje në disa raste edhe duke gënjyer mbi ngjarjet.

Ky është rezultati i një analize cilësore të fjalimeve të numrit një të Ministrisë së Brendshme për një periudhë një vjecare, janar-dhjetor 2019.

Fjalimet e ministrit janë aksesuar në faqen zyrtare të institucionit “Ministria e Brendshme”.

Si një Ministër i Brendshëm që duhet të ofrojë siguri në popull, deklaratat e Lleshajt duhet të ishin më të shpeshta gjë që nuk ndodh . Më specifikisht mendoj se Lleshaj i shmang deklaratat e shpeshta për t’i shpëtuar syrit kritik të medias dhe publikut që mund ta vendosë shumë kollaj me shpatulla pas murit. Lleshaj nuk del të përballet dhe të marrë përgjegjësi për gjendjen aktuale në vend, duke e lënë popullin në një pasiguri totale dhe duke i dhënë krimit një dritë jeshile.

Për ta bërë situatën më konkrete do të bëj një pasqyrim të statistikave vetëm për vrasjet që kanë ndodhur në vitin 2019. Statistikat janë publikuar nga vetë Institucioni i Policisë së Shtetit, dhe duhet thënë se janë goxha të rënda duke marrë parasysh heshtjen pompoze të Lleshajt.

Në vitin 2019 kanë ndodhur në total 57 vrasje që kanë lënë pas 63 viktima dhe 10 të plagosur. Nga këto 57 vrasje, 14 prej tyre kanë qenë krime në familje, 13 vrasje me dashje, 17 me paramendim, si dhe 13 vrasje të tjera të ndodhura në rrethana të tjera cilësuese.

Për ta kuptuar pse këto shifra janë shqetësuese, mund të marrim shifrat e vitit 2018, të publikuara po nga Policia e Shtetit ku janë numëruar 45 vrasje, pra rreth 12 vrasje më pak nga viti që lamë pas.

Gjë që rrjedhimisht tregon se situata është përkeqësuar.

Në këtë investigim do të marr në analizë nëntë fjalimet e zotit Lleshaj në vitin 2019, periudhë duhet thënë goxha e ngjeshur me krime ku madje janë prekur edhe njerëz të sistemit të drejtësisë.

Dua të kujtoj se fjalimi i parë i Lleshaj qëlloi të ishte shumë gjatë pasi emri i tij u propozua nga Kryeministri, kjo për shkak se Presidenti i vendit Ilir Meta nuk pranonte ta dekretonte për shkak të gradës gjeneral që Lleshaj mbante që nga koha kur kishte qenë në ushtri.

Pasi e ktheu njëherë dhe më pas ia hoqi gradën e gjeneralit, Meta dekretoi Lleshajn dhe ky i fundit u betua në Presidencë. Fjalët e para si Ministër i Brendshëm, Lleshaj i tha para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës. Sigurisht si një fjalim hapjeje, fjalët e tij ishin plot patos dhe ladve për policinë por shumë shpejt ritmi u ul dhe fjalimet nisën të rrallohen.

Fjalimi i parë zyrtar i Lleshajt ka qenë më 03.04.2019 dhe ka qenë një fjalë e mbajtur në Kuvend.

Data 3 prill e vitit 2019 përkon me protestën e 8 të opozitës pranë Kuvendit i cili ishte blinduar me polici. Në mënyrë simbolike atë ditë pati djegien e një piramide që simbolizonte krimin ndërkohë që në Kuvend betoheshin deputetët e rinj. Pati kapsolla dhe tymuese dhe dy tentativa për të çarë kordonin policor. Një person u qëllua nga turma dhe përfundoi në ambulancë sepse u mendua se ishte agjent i krimit. Më pas protesta u zhvendos pranë Kryeministrisë ku pati sërish incidente. Por Lleshaj në fjalimin e tij u mor me tre pika të cilat sipas tij nxorrën në pah “punën” e shkëlqyer të policisë.

Fillimisht Lleshaj e nis fjalimin me politikë. Ai e quan protestën e opozitës “pa kuptim dhe pa objektiv”, duke e kthyer fjalimin në një sulm politik. Teksa përmend ata që hedhin kapsolla, ai i kërcënon me burg dhe i përmend shtëpitë “e mjera”. Asnjë fjalë për incidentet, mënyrën si zgjodhi policia të reagonte dhe as për personat që përfunduan në ambulancë.
Menjëherë ai kalon në cështjen e regjistrimit të adresave të shqiptarëve duke e konsideruar një sukses.

Kjo pasi sipas tij pasi ishin 300 mijë shqiptarë pa adresë dhe pas një pune 3 mujore ky numër ishte thuajse zero. Por pse ishte e gënjeshtërt kjo fjali e Lleshajt? Në fakt cështja e regjistrimit të adresave ka nisur që kur u propozua nga Saimir Tahiri por u votua në Parlament vetëm në vitin 2016. Por për një vit, ky process nuk u përfundua.

Madje në 2018, Ministria e Brendshme sërish i bëri ftesë njerëzve të regjistronin adresat duke pranuar kështu se procesi nuk kishte përfunduar kurrsesi. Ministri Lleshaj deklaroi me 3 prill se procesi thuajse kishte përfunduar ndërkohë që në 24 prill 2019 sërish Ministria e Brendshme bëri kërkesë për regjistrimin e adresave. Madje Kryebashkiaku Veliaj pak kohë më vonë deklaroi: “Bëje pa pagesë, sot deri në fund të prillit kemi afat! Përndryshe vjen prapë ajo gjoba e famshme, që është një mënyrë për të disiplinuar pak këtë proces të atyre që janë neglizhentë. Mos neglizhoni!”-ishte thirrja e Veliajt.

Në pikën e tretë Lleshaj tregon propozimin që i ka bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të hequr dorë nga qendrat e votimit pranë mjediseve private dhe të aplikohen qendrat mobile ose të lëvizshme të votimit. Gjë që në zgjedhjet e qershorit u vu re se votimet vazhduan nëpër shkolla dhe palestra dhe propozimi nuk u vu në zbatim.

Prandaj ky fjalim i Lleshajt përvecse nuk krijoi siguri dhe as nuk sqaroi gjërat që vërtet duheshin sqaruar, dha edhe ca premtime të cilat nuk u bënë realitet.

Fjalimi i dytë:

Lleshaj mban një fjalë në Kuvend dy ditë pas grabitjes së bujshme në Rinas. Grabitja ndodhi në Aeroportin Nënë Tereza, më datë 9 prill ku 10 milion euro u vodhën në kohë rekord për dy minuta.
Sigurisht që forma sesi ndodhi zgjarja shkaktoi një zhurmë të madhe për faktin se u cënua siguria kombëtare. Por çfarë deklaroi Lleshaj në këtë fjalim kur situata po ziente?

Ai tha batutën e famshme që është përdorur nga disa qeveritarë “Gjëra të tilla ndodhin kudo”. Mesa duket kjo është një mënyrë e mirë për të justifikuar ngjarjet që i kapërcejnë kufinjtë e normales si grabitje të tilla në mes të ditës.

E dyta, Lleshaj hoqi përgjegjësinë nga supet dhe ia kaloi kompanisë private ICTS, pasi sipas tij nuk e kishte bërë mirë punën. Lleshaj nuk komenton aspak mënyrën se si iu delegua një rëndësi e tillë kësaj kompanie, nuk jep detaje sesi u zgjodh kjo kompani, me cilat kritere dhe as nuk sqaron nëse ishte një pikë e kompanisë ICTS kombëtare apo thjesht marrja hua e një emri për t’u kamufluar. Ai justifikohet me faktin se TIA e kishte konstatuar problemin e mungesës së sigurisë te ICTS, por nuk tregon pse nuk është denoncuar ky rast.

Edhe pse përplasja me grabitësit ishte plotësisht e rastësishme, Lleshaj e shet si sukses. Saktësisht: “Ne duhet të jemi shumë të qetë dhe shumë krenarë që instrumentet tona të sigurisë funksionuan, megjithëse ra një instrument, që ishte siguria fizike e aeroportit, funksionuan instrumente të tjera. Policia e Shtetit ka reaguar në kohë rekord dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë. Po ju them, ka reaguar në kohë rekord, në mënyrë të paparë, është vënë përballë një sulmi të armatosur, masiv nga një grup kriminal, por ka arritur që ta dominojë situatën, ka arritur që të sigurojë prova të rëndësishme, të cilat do t’i shërbejnë procesit të hetimit.”

Edhe pse grupi i grabitësve ishte një grup i cili kishte realizuar vepra të tilla penale më parë dhe ishte i një niveli të lartë kriminal, Lleshaj sërish nuk konstaton asnjë përgjegjësi që i takon atij dhe Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, ata ishin arratisur nga një burg në një vend të BE-së dhe kjo e shmangte përgjegjësinë e shtetit shqiptar. Madje as sesi kanë hyrë në Shqipëri ai nuk e komenton fare.

Në fund të fjalimit diskuton edhe kërkesat që iu bënë për të dhënë dorëheqjen. Ministri i Brendshëm nuk e konsideron si një mundësi të heqë dorë nga posti edhe pse u cënua siguria kombëtare, pasi sipas tij nuk ka kërkuar asnjë ditë të jetë aty ku është.

Fjalimi i tretë:

Me 18 prill 2019, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mban fjalim në interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës, për grabitjen në Aeroportin “Nënë Tereza”. Në këtë datë ngjarja ishte akoma e pazbardhur plotësisht, dihet se grabitësit janë 4-5 persona, një grabitës është vrarë, shuma akoma nuk u identifikua zyrtarisht por u përfol për 10-12 milion euro.

Personi i vrarë është identifikuar si Admir Murataj i cili kishte bërë tre grabitje të tjera në të njëjtën zone.

Lleshaj ia kalon përgjëgjësinë ICST, kjo e fundit deklaron se ka kryer cdo veprim për të ruajtur sigurinë dhe se ka deklaruar se kompania ka lajmëruar Policinë e Shtetit por policia nuk ka reaguar. Në këtë moment koncensionarit i merret e drejta për të ruajtur Aeroportin E Rinasit.

Por çfarë deklaroi Ministri Lleshaj në 20 miniuta gjatë interpelancës? Ai fillimisht shmangu pyetjet e deputëteve dhe e nisi fjalimin e gjatë duke përshkruar skenaret e ndryshme që sipas tij janë ndërtuar qëllimisht nga politika për t’i dhënë konotacione të reja ngjarjes. Kjo zgjat për 5 paragrafë. Pastaj ai i drejtohet qytetarëve të Shqipërisë duke i siguruar se fakti se është cënuar siguria kombëtare nuk do të thotë se është shkatërruar siguria kombëtare dhe se 5 persona që grabisin një shumë parash nuk e bëjnë vendin më të pasigurt.

Për herë të parë ai përmend faktin se siguria e Aeroportit është vendosur t’i kalojë një koncensionari në Kuvend këtu e 15 vjet më parë sipas tij nga qeveria Berisha.

Ndërkohë kujtojmë këtu se në 2016 ishte qeveria Rama e cila i dha dritën jeshile një kompanie kineze të blinte TIA.
Lleshaj pohon se TIA ka lajmëruar Policinë e Shtetit 30 minuta pas ngjarjes dhe për këtë nuk shpjegon nëse për këtë fakt do të nisë një hetim. Ndërkohë ICTS deklaron se ka lajmëruar menjëherë TIA sapo grabitja ka ndodhur.

Fjalimi më pas vazhdon me një raportim të ngjarjeve të tjera të ngjashme që kanë nddodhur më parë e cila mesa duket nuk e vë Lleshajn më shumë me shpatulla pas murit, pasi situate ishte e paralajmëruar, por sipas tij e justifikon. Kjo pasi plotësisht në mënyrë rastësore Policia reagoi në kohë rekord dhe pati përplasje me grabitësit.

Ai justifikohet me faktin se koncensionari është përgjegjës për perimetrin brenda aeroportit dhe ndaj Policia nuk ka përgjegjësi. Gjë të cilën më pas nuk e justifikon dot kur vendosën të fusin Forcat e Ushtrisë të mbronin Aeroportin pas grabitjes.
Në fund, Lleshaj i përgjigjet deputetit Murrizi. Ai tregon se shifra është rreth 5 milion euro, shumë larg shifrës që u përfol. Ai pranon se komisariati në Rinas nuk ofronte dot siguri dhe se tani e tutje do të veprohej ndryshe.

Por a u zbardh ngjarja? A u gjetën paratë? A u arrestuan autorët? A nisën hetimet për TIA? ICST? A mbajti dikush përgjegjësi? Lleshaj nuk i tha!

Fjalimi i katërt:

Në fjalimin e katërt I cili është mbajtur në Kuvend me datë 18 prill 2019, Lleshaj fokusohet në dy pika kryesore:

1-Së pari ai flet për marrëveshjen e doganës së përbashkët me Kosovën e cila u miratua me 86 vota pro në Kuvend. Lleshaj në fjalimin e tij e konsideron një sukses marrëveshjen.
Lleshaj thekson: “Një kontroll, i cili i aplikuar për rreth 6 milion qytetarë në vit, besoj e kuptoni vetë se çfarë kursimesh të jashtëzakonshme në kohë sjell dhe çfarë lehtësie ofron për ata miliona njerëz që lëvizin në dy anët e kufirit.”
Por ai nuk tregon shifra të sakta në lidhje me uljen në kosto që do të sjellë kjo marrëveshje.

Madje në faqen zyrtare të Administratës Doganore Shqiptare nuk ka asnjë informacion specifik në lidhje me ndryshimet që do të sjellë kjo marrëveshje, por vetëm pohohet se lëvizja e njerëzve dhe e mallrave tashme do të jetë më e shpejtë dhe më e lehte në Pikën Kufitare të Morinës.

Lleshaj gjithashtu siguron se do të ketë një lëhtësim procedurash ndërkohë që nuk tregon sesi do të funksionojë skema.
Ndërkohë në një analizë të Monitor, pretendimet e Lleshajt hidhen poshtë nga ekspertët të cilët theksojnë se nuk do të kenë një doganë të përbashkët, por vetëm një godinë të përbashkët për të dyja shtetet.

2-Në pikën e dytë Lleshaj flet për shifrat e hyrje –daljeve në Shqipëri përgjatë vitit 2018. Lleshaj bën krahasim me vitin 2008 ku pati 966 mijë shqiptarë dhe të huaj që hynë dhe dolën, ndërsa në 2018 sipas Lleshaj një shifër “spektakolare” 23 milion. Sipas Instat shifrat janë të sakta, pasi në 2018, 11 milion shqiptarë e të huaj hynë në vend dhe po aq dolën, por krahasimi merret qëllimisht me një diferencë të madhe në kohë për ta theksuar ndryshimin. Lleshaj i cili u bë ministër në 2018, nuk përmend ndryshimin nga 2017 në 2018, ndryshim i cili sipas statistikave të Instat është vetëm 1.8 milion.

Fjalimi i pestë

Lleshaj mban fjalën në Kuvend më 25 prill të 2019. Në këtë ditë në Kuvend propozohet Ligji për Policinë Gjyqësore. Në një fjalim të gjatë, Lleshaj tregon të mirat që do të sjellë ky ligj, duke lavdëruar atë që do të vijë. Për paragrafë të tërë ai thekson se Ligji do t’i japë zgjidhje shumë çështjeve të së kaluarës, por nuk tregon asnjë fakt konkret në lidhje me mënyrën si do të funksionojë ligji në fjalë. Ndërkohë në pjesën e dytë të fjalimit, Lleshaj sulmon kundërshtarët duke iu referuar sulmeve të tyre ndaj Ligjit të propozuar. Ai thekson se këto janë vetëm skenare dhe nuk i përgjigjet akuzave.

Ndërkohë përvec akuzave të opozitës, ligji në fjalë u konsiderua jokushtetues edhe nga aktivistë të shoqërisë civile por Lleshaj nuk tha asnjë fjalë as për këtë.
Fjalimi i gjashtë: Më datë 30 maj 2019, Lleshaj mban fjalim në Kuvend në lidhje me Raportin i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2019. Lleshaj rikujton edhe njëherë fjalët pozitive të Komisionit. Ai merret gjerësisht me punën pozitive të policisë e cila sipas Lleshajt, e ka bërë punën pavarësisht sulmeve politike.

Për ta vërtetuar ai merr në krahasim numrin e vrasjeve në 2018 me atë të 2012, një krahasim i largët i cili bëhet qëllimisht. 51 vrasje në 2018 janë më pak se 126 në 2012, një përgjysmim. Por nëse do të shohim raportin e Instat, në 2017 kemi 50 vrasje me dashje ndërsa në 2018 kemi 51, pra një vrasje më shumë.
Ndër të tjera Lleshaj tregon se periudha janar-maj 2019 ka një tendencë në ulje nga 2018. Një konstatim ky i pavërtetë pasi sipas statistikave në Instat në periudhën janar-maj 2018 ka pasur një vrasje me dashje, ndërsa janar-maj 2019 dy vrasje me dashje.
Pjesa tjetër e fjalimit është një thirrje dhe paralajmërim drejtuar personave që sipas tij kanë ndërmend të bojkotojnë me dhunë zgjedhjet.

Fjalimi i shtatë:

Lleshaj mban fjalën e tij në Kuvend pak ditë para zgjedhjeve. Presidenti Meta gjatë kësaj kohe mori vendimin për shfuqizim të dekretit të zgjedhjeve, vendim i konsideruar nga qeveria anti-kushtetues. Në të gjithë fjalën e tij, Lleshaj sulmon politikisht Metën dhe në fund e mbyll me një citim nga një filozof në lidhje me tolerancën në kushte të tilla, e cila sipas Lleshajt është e rrezikshme.

Fjalimi i tetë:

Më 18 korrik, Lleshaj i përgjigjet në Kuvend deputetit Murrizi i cili hodhi akuza ndaj qeverisë në lidhje me ligjin për armët.

Lleshaj në paragrafët e parë pranon se ka prodhim armësh të paligjshme në Shqipëri, prandaj thotë ai: Duhet forcuar dhe ashpërsuar ligji dhe ndëshkimi penal ndaj posedimit të armëve.
Lleshaj thekson në fjalim se ky projektligj u propozua për shkak të vrasjeve dhe plagosjeve të efektivë të policisë. Ai kujton këtu vitin 1997.

Ndërkohë projektligji u kthye në Kuvend nga Meta, pasi u konsiderua i paplotësuar mirë, me probleme dhe rrezik i madh për manipulime.

Fjalimi i nëntë:

Fjalimi i fundit i Lleshajt ka qenë në datë 19 shtator 2019. Fjala është mbajtur në Kuvend, pasi Presidenti Meta ktheu projektligjin për Kodin penal.
Lleshaj në paragrafët e parë bën një historik të policëve të vrarë që nga viti 1991.

Ai thekson se kjo është arsyeja pse ka kërkuar ndryshime në Kodin Penal. Rikujton sërish vitin 1997 dhe tregon se që nga viti 1990 deri në 2018 janë vrarë 6099 shqiptarë, shifër e publikuar edhe në Instat.

Ai liston ligjet që kanë nevojë për përforcim të dënimit dhe sulmon Metën, i cili sipas tij nuk ka arsye ta kthejë mbrapsht projektligjin.

Por çfarë doli në pah gjatë analizimit të fjalimeve përgjatë një viti të Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj?

1-Ai mban fjalime zyrtare vetëm në Kuvend.

2-Lleshaj nuk reagon për krime specifike, as kur ato prekin eksponentë të drejtësisë dhe policisë

3-Lleshaj në 50% të fjalimeve përdor një diskurs politik dhe sulmon kundërshtarët

4-Ministri nuk parashtron fakte konkrete në pjesën më të madhe të fjalimeve, por preferon ta organizojë diskursin me lojëra fjalësh

5-Mbron në mënyrë subjektive Policinë e Shtetit

6-Mban fjalime “fitoreje” me patos dhe etos, sepse zgjedh të reagojë kur ka diçka të mirë për të thënë

7-Nuk i përgjigjet pyetjeve kur thirret në interpelancë

8-Në një pjesë të fjalimeve Lleshaj përdor statistika ose fakte të cilat bien ndesh me të vërtetën. /albeu.com/


Shtuar 27.02.2020 09:41