Rreziqet gjatë një udhëtimi, tërmeti fundos Shqipërinë në renditje

Shqipëria paraqitet më keq sesa të gjithë vendet e tjera të rajonit sa i takon riskut që mund t’i kanoset një shtetasi të huaj që udhëton me destinacion vendin tonë. Një indeks që mat “riskun në udhëtim” të rreth 180 vendeve dhe kryqëzon të dhëna nga Komsioni Europian, Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetit, Baza Globale e Terrorizimit, Kombet e Bashkuara dhe Zyra për Drogën dhe Krimin në Kombet e Bashkuara e rendit vendin tonë të 70-in duke qëndruar dukshëm më poshtë sesa Maqedonia e Veriut në vendin e 41 apo Serbia në vendin e 40 apo Mali i Zi në vendin e 51 e Greqia në vendin e 47. Edhe Bosnja renditet në vendin e 61.

Sa i takon shkallëve të riskut ato janë pesë ku e para është asnjë risk, e dyta risk i moderuar, e treta risk domethënës ku klasifikohet dhe Shqipëria dhe dy risqet e tjera janë të rëndë dhe ekstrem.

Por cilët janë faktorët që merren në vlerësim. Në indeks Shqipëria rezulton me një total pikësh prej 59.7 nga 100 ku kjo e fundit tregon risk të moderuar. Sa më pak pikë aq më i lartë risku.

Lidhur me dhunën treguesi që regjistron Shqipëria është 59 nga 100, në transport risku është 61 nga 100 në shëndetësi 71 nga 100 dhe në katastrofa natyrore 23 nga 100.

Pikërisht risku i katastrofave natyrore është treguesi që ka dobësuar në total indeksin e riskut në udhëtim të Shqipërisë për vitin 2020. Në këtë kontekst rifreskimi i riskut lidhet me dy ngjarjet e fundit të fatkeqësisë natyrore siç ishin tërmetet në zonën e Durrësit dhe Tiranës në datat 21 shtator dhe 26 nëntor ku ky i fundit rezultoi fatal edhe në jetë njerëzish.

Të marrë në analizë më vete risku domethënës nënvizohet për dy element. Së pari për tërmetet apo katastrofat natyrore dhe së dyti tek pjesa e shëndetit ku lidhur me riskun e nga HIV sërish nënvizohet se është domethënës.

Aspektet më të sigurta që cilësohen si pa asnjë risk sipas indeksit janë ato të linjave ajrore në listën e zezë ku nuk ka asnjë, një sërë sëmundjesh të tilla si ethet e verdha, zika, kolera, apo instalimi i pjesës bazike të qendrave shëndetësore. Të gjitha këto nuk paraqesin asnjë rrezik sipas indeksit./monitor/


Shtuar 5.03.2020 08:56