Porosi nga azerët, kush është biznesmeni shqiptar që do të ekzekutohej nga grupi i taxhikut

Ish-biznesmeni shqiptar i naftës Albano Aliko ka qenë objektivi i terroristëve që Gjermania arrestoi një muaj më parë në territorin e tyre.

Ndërkohë, Shqipëria arrestoi gjithashtu pak ditë më parë Komron Zukhurov si të dyshuar si pjestar i ISIS. Ka dyshime të forta se taxhiku gjendej këtu edhe për të vëzhguar pikërisht biznesmenin në fjalë me qëllim përgatitjen e atentatit.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmojnë për “Abc News” se historia e atentatit të planifikuar ndaj tij daton që në shkurt të vitit të shkuar, teksa Aliko ndodhej me masë sigurie “arrest shtëpie” e caktuar nga drejtësia shqiptare.

Në atë kohë, oficerë të Krimeve të Rënda dhe ata të anti-terrorit sapo janë vënë në djeni për Tenntatin që po i përgatitej biznesmenit shqiptar, e kanë marrë këtë të fundit në pyetje.

Të njëjtat burime sqaruan se Albano Aliko u ka treguar hetuesve në lidhje me një konflikt të hershem biznesi që ai ka pasur me disa persona nga Azerbajxhani.

Burimet sqaruan se në bazë edhe të dëshmisë së Alikos, porositësit e ekzekutimit të tij ishin pikërisht nga një grup biznesmenësh nga Azerbajxhani.

Në Prill të këtij viti, Gjermania goditi celulën terroriste, ku u hetuesit e huaj theksuan se një nga terroristët e arrestuar, Ravsan B. kishte pranuar një urdhër me vlerë 40 mijë dollarë për të kryer një sulm në Shqipëri.

Ndërkohë që një javë më parë, si pjesë e këtij grupi, në vendin tonë policia arrestoi në Tiranë 24 vjeçarin Komron Zukhurov nga Taxhakistani, i dyshuar si pjesë e ISIS.

Albano Aliko është ish-administratori i kompanisë “Gulf”.

Ai u shpall në kërkim në prill të 2018-ës, pasi akuzohej si personi që mashtroi qindra qytetarë duke iu shitur mijëra litra tollona karburanti të pavfleshme nga kompania “Gulf”, me vlerën e 5 milionë eurove.

Aliko u arrestua në muajin shtator të 2018-ës ndërsa gjykata i zbuti masën e sigurisë duke e liruar nga qelia.


Shtuar 6.05.2020 08:47