“Po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar”, Rama reagon edhe njëherë për Anti-KÇK

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “Tëitter” për paketën “Anti KÇK”. Rama shprehet se Prokurorë dhe gjykatës po poshtërojnë punën e policisë, ndërsa thekson se po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar dhe punojnë të kapin ç’të kapin para se t’i fshijë Vetingu.

Rama shprehet se anti-kçk është reagimi i duhur në kohën e duhur dhe se ky ligj special është frymëzuar nga dashuria për vendin dhe vullneti i hekurt për të shkatërruar burimet financiare të krimit.

Statusi:

“Jo vetëm PD po edhe plot të ashtuquajtur analistë e komentatorë po i kundërvihen antiKÇK-së, në një përçartje kolektive brenda kutisë së televizorit! Sepse për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave së tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin.🤮

AntiKÇK është reagimi i duhur në kohën e duhur, kur puna e sakrificat e policisë poshtërohen nga prokurorë&gjykatës të korruptuar, të cilët janë partnerë të krimit jo nuk dënojnë, po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar dhe punojnë të kapin ç’të kapin para se t’i fshijë Vetingu.👎

Ligji Special është frymëzuar nga dashuria për këtë vend dhe vullneti i hekurt për të shkatërruar burimet financiare të krimit, duke marrë shembull nga historitë e suksesit të vendeve si Italia e Britania e Madhe që me ligjet speciale goditën në zemër mafien apo terrorizmin👊
Koha do të provojë përsëri edhe njëherë se dashuria për vendin, vullneti për ta bërë shtet modern Shqipërinë, vendosmëria për t’i rënë me kokë mureve të vjetra, do të fitojnë mbi hipokritët, dembelët e parazitët që jetojnë me llafe, gënjeshtra e broçkulla duke helmuar shqiptarët”, shkruan Rama.


Shtuar 4.02.2020 09:24