Në fjalën e tij për paketën anti KCCK, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë ata gjykatës dhe prokurorë që me vendimet e tyre janë bërë pjesë e botës së krimit.
Rama paralajmëroi gjyqtarët dhe prokurorët që duke nisur nga dita e nesërme, brenda një afati prej 48 orësh, duhet të plotësojnë një formular për deklarimin e pasurisë së tyre dhe se duhet të japin llogari para drejtësisë.
“Rasti më i fundit ishte ai i një gjykatëse pa tru, pa sy, pa veshë, pa zemër. Por vetëm me xhep. Që ka sjellë lirime monstrash. Ndërkohë që sot jemi të vetëdijshëm e do duhet të vuajmë akoma. Pasi ka gjykatës dhe prokurorë që e dinë shumë mirë se s’kanë për ta kaluar vettingun dhe jetojnë nën togën e zezë si të ishte dita e fundit e pazarit të gjësë së gjallë me moton; “kap ça të kapësh”.
Dhe për ta kjo paketë ka një ilaç; Do përgjigjen. Në mos sot, nesër. Njësoj si sot, që erdhi koha të përgjigjen ‘të fortët’ dhe ‘të paprekshmit’ për pasuritë e tyre, per shtëpite, bizneset, makinat, tokat. Vettingu nuk është gjykatë, as prokurori.
Vettingu nuk ka për detyrë që të ndëshkojë ata të cilët kanë vënë pasuri marramendëse duke e përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë. Por është faza kur ndotet ‘i njomi me të thatin’. Në të shumtën e herës këta jenë kriminelë dhe jo gjykatës. Nga nesër një letër do u drejtohet këtyre subjekteve dhe do u kërkohet brenda 48 orësh që të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre. Dhe pastaj formulari do të shkoj së tek SPAK. Dhe nga SPAK, në gjykatë.
Paketa Anti-KÇK parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon bllokimin e lëvizjes jashtë njësisë administrative. Jo të nisen me autokolona me makina luksoze dhe të shkojnë të nxjerrin pushkë në planin e Himarës në mes të sezonit.
Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tendera. E fundit, për prokurorët dhe gjykatësit që godasin shtetin jo me plumba por më keq se plumbi me çekiçin e drejtësisë. Jo përballë por mbas shpine.
Paketa kërkon brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra dhe nisjen e hetimit. Ata janë bashkë edhe tani që po na shohin dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin.”, tha Rama.