Kuvendi nis maratonën, diskuton sot hetimin e shkeljeve të Metës

Kjo javë, do të jetë e ngjeshur për parlamentarët pasi do të mbahen tre seanca brenda katër ditëve.

Në rendin e ditës për sot, është i parashikuar vetëm raporti i hartuar nga Komisioni Hetimor në lidhje me ligjshmërinë e veprimtarisë së Presidentit Meta në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 si dhe në procedurat për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni, që rëndom është konsideruar si “Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës” votoi javën që shkoi mosshkarkimin e Presidentit, duke u mbështetur në konkluzionet e opinionit të Komisionit të Venecias.

Deputetët socialistë argumentuan se shkelje ka pasur, por se nuk janë të mjaftueshme për të çuar drejt një shkarkimi dhe kjo linjë është ndjekur edhe në raportin që i është dërguar seancës plenare për votim.

Seanca pritet të jetë e shkurtër, ndryshe nga ajo e së enjtes që shkoi, ku rendi i ditës ishte shumë i gjatë, por edhe çështjet e debatueshme ishin disa.

Ndërkohë, në këtë seancë debati pritet të përfshijë edhe temën më të fortë të javëve të fundit, atë që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese për të hapur mundësinë e listave të hapura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Shtuar 27.07.2020 07:00