Kalendari i ngjeshur i Superiores/ Ndeshje çdo tri ditë, nuk ka kohë për Europën

Organizatori i futbollit në vend ka vendosur që më 3 qershor, ekipet e Kategorisë Superiore të zbresin në fushë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të.

FSHF, dje pas takimit me drejtuesit e klubeve që bëjnë pjesë në Ligën Profesioniste, ka zyrtarizuar edhe kalendarin e ndeshjeve. Duke pasur në zhvillim edhe pesë ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kalendari për ekipet do të jetë shumë i ngjeshur.

Kategoria Superiore 81

KALENDARI, NDESHJE ÇDO 3 DITË

Pas takimit të djeshëm, FSHF ka vendosur për datat dhe kalendarin e ndeshjeve. Në diskutim ka qenë nisja më 1 ose shtatë qershor dhe në fund, FSHF ka vendosur që të startojë më datë 3 të këtij muaji. Duke parë edhe kalendarin e zbardhur me të gjitha datat për të dyja kompeticionet, praktikisht klubet kanë ngjeshje të ndeshjeve teksa do të luajnë çdo fundjavë dhe çdo mesjavë, për të kompletuar dhjetë javët e Superiores dhe pesë ndeshjet e mbetura të Kupës së Shqipërisë.

SHTRËNGOJNË KUPAT E EUROPËS

I gjithë nxitimi për të filluar sa më shpejt dhe për të mbaruar brenda muajit korrik, ka të bëjë me faktin se UEFA ka vendosur si limit datën 3 gusht për dorëzimin e verdikteve të kampionatit. Kjo, për faktin se hidhet shorti për ndeshjet kualifikuese të Kupave të Europës. Paraprakisht, pritet që ditët e para të gushtit (mes datës 5 dhe 12) të jetë afati në të cilin mund të luhet turi i parë kualifikues. Kësisoj, edhe skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europë do të kishin fare pak ditë kohë në dispozicion, meqenëse më 29 korrik do të luajnë ndeshjen e fundit.

Pas një pauze dymujore, skuadrat nuk do të kenë mjaftueshëm kohë për të bërë fazën përgatitore para rinisjes së kampionatit dhe skuadrat që do të kualifikohen në Kupat e Europës do ta vuajnë mungesën e kësaj faze edhe për ndeshjet europiane. Java e parë e gushtit për ndeshjet e turit të parë kualifikues janë konfirmuar publikisht edhe nga Armand Duka, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.


Shtuar 14.05.2020 18:35