EKSKLUZIVE/ Përçarjet brenda BDI-së rrezikojnë marrëveshjen historike të Ali Ahmetit

Përçarjet brenda BDI-së rrezikojnë seriozisht marrëveshjen historike të arritur nga Ali Ahmeti me Zoran Zaev për të ngritur një qeveri me 6 ministra shqiptar si edhe një kryeministër sërish shqiptar gjatë 100 ditëve të fundit të mandatit.

Siç mëson Albeu.com, bëhet fjalë për dy deputetë të BDI-së, të cilët janë duke i bërë presion Ali Ahmetit për një post ministri duke kundërshtuar gjithashtu edhe dy emra të propozuar nga kreu i BDI-së për poste të rendësishme në qeveri.

Votat e dy deputetëve të BDI-së janë të rendësishme në votimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Parlament, e cila për herë të parë do të ketë gjashtë ministra si edhe zv.kryeministrin e parë, shqiptar.

Në këtë mënyrë, grindjet e brendshme në partitë shqiptare rrezikojnë t’i bëjnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut që të humbasin një shans historik për t’u përfaqësuar denjësisht në qeveri.

Nga të njëjtat probleme, pra përçarja e brendshme, dje u rrezikua edhe votimi i Talat Xhaferrit për në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Negociatat në minutat e fundit bënë që deputetët hezitues të merrnin pjesë në votim.

Maxhoranca aktuale është mjaft e brishtë pasi pritet që të votohet me 62 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Maqedonisë së Veriut, prandaj edhe situata e krijuar papritur ka ngritur alarmin mes shqiptarëve atje.

Marrëveshja e Ali Ahmetit me Zoran Zaev konsiderohet historike, jo vetëm për numrin e ministrive të marra, por edhe për faktin se shqiptarët do të kenë zv.kryeministrin e parë, që ka mjaft pushtet në qeveri si edhe postin e kryeministrit gjatë 100 ditëve të fundit të mandatit.

Do të ishte një humbje e madhe për çdo shqiptar të Maqedonisë së Veriut që grindjet e brendshme të rrëzonin një qeveri, në të cilën ata janë më të fuqishëm se kurrë për hir të këmbënguljes dhe qendresës së Ali Ahmetit. /albeu.com


Shtuar 22.08.2020 13:03