Digjet statuja e Melania Trump në vendlindjen e saj (FOTO LAJM)

Një statujë druri e zonjës së parë të Amerikës, Melania Trump, në qytetin e saj të lindjes Sevenica, të Sllovenisë, është djegur gjatë natës mes 4 dhe 5 korrikut.

Ky lajm raportohet nga Reuters, duke cituar artistin amerikan Brad Downey, i cili realizoi veprën.

“Dua të di se pse e bënë”, tha Downey. Ai kërkon të flasë me autorët e këtij veprimi, për një film që po realizon në kuadër të ekspozitës së tij që pritet të hapë në shtator.

Statuja përfaqësonte Melaninë të veshur me të kaltra, ashtu siç u shfaq kur i shoqi Donald Trump, mori detyrën si President.

Fytyra e statujës ishte e gdhendur në mënyrë disi abstrakte duke mos pasqyruar portretin e Melania Trump. Statuja ishte e gdhendur me një sharrë elektrike duke përdorur dru lisi.

Në janar, një statujë e madhe prej druri që i ngjan Donald Trump, e krijuar nga një artist vendas vitin e kaluar, u dogj në qytetin e Sllovenisë, Moravce, në lindje të kryeqytetit të Ljubljanës.


Shtuar 9.07.2020 08:16