“CIA premtoi 3 milion dollar për të helmuar Enverin”, si u servir dosja sekrete në Tiranë

A është e vërtetë se Mehmeti Shehu kishte kërkuar 3 milionë dollarë për të vrarë Enver Hoxhën, ose më saktë për të helmuar atë?

Pas vetëvrasjes së ish-Kryeministrit, ishte vetë Enver Hoxha që do ta konsideronte poliagjent njeriun e tij më të besuar e pas kësaj, dosja e tij u mbush me dëshmi e dokumente, që më herët nuk ishin marrë në konsideratë nga lideri komunist. Perlat Çaushi, ish-drejtor i Zbulimit me Jashtë, me zyrë në Ministrinë e Jashtme, i larguar nga shërbimi pas ngjarjes së dhjetorit 1981, përpiqet të hedhë dritë mbi atë që ai e quan “vrasje” të Mehmet Shehut.

Në librin e tij “Kush e vrau Mehmet Shehun? Refleksione për një vrasje që ende i dëgjohen krismat”, botim i UET Press, Çaushi i rikthehet një çështjeje që ka bërë bujë në media, “ekzistencës” së një dokumenti të CIA-s për rekrutimin e Mehmet Shehut, i cili do të helmonte Enver Hoxhën, do të rivendoste raportet diplomatike të Shqipërisë me Perëndimin, do lejonte pluralizmin partiak dhe do të paguhej 3 milionë dollarë.

Në rast se do të zbulohej, do të përfitonte azil politik në SHBA. Çaushi i referohet rrëfimit të ish-ambasadorit shqiptar në Argjentinë, Piro Andoni, dhe merr në analizë jo vetëm pretendimet e diplomatit, por edhe vetë dokumentin e pretenduar si të përpiluar nga CIA. Cila është e vërteta e këtij dokumenti?

ÇUDIA INFORMATIVE NGA ARGJENTINA

Në vitin 1986, pesë vjet pas vetëvrasjes së Shehut dhe një vit pas vdekjes së Hoxhës, në minierën e fakteve për komplote nuk pushonin gërmimet. Dosja e hapur për Mehmet Shehun vazhdoi të pasurohej me të dhëna që konfirmonin qenien e tij në shërbim të CIA-s. Informacioni i radhës erdhi nga ambasada jonë në Argjentinë.

Në ato vite, kryetar i shoqatës Argjentinë-Shqipëri ishte zgjedhur argjentinasi Gerrado Ferrani, tregtar i suksesshëm dhe disi i njohur në rrethet diplomatike dhe të biznesit, i cili disa vite përpara u ishte afruar punonjësve të ambasadës sonë në Buenos Aires dhe sipas tregimit të ish-ambasadorit tonë në atë vend, Piro Andonit, biznesmeni argjentinas kishte ndihmuar për ta bërë të njohur vendin tonë në këtë hise të Amerikës Latine.

Një mbrëmje, Ferrani i kërkoi ambasadorit Andoni takim urgjent. “Nuk kisha ndërmend ta prisja në atë orë të papërshtatshme”, u tregon ambasadori shqiptar disa gazetarëve të shtypit dhe televizioneve të këtyre viteve të paskomunizmit.

“Nuk do ta prisja në qoftë se nuk do të më kishte njoftuar se ai kishte një problem urgjent dhe që duhet ta bisedonte vetëm me mua, madje menjëherë. Sa u takuam, duke mos pritur as për të bërë dhe përshëndetjet e para, ai më tregon se kishte qenë në një bisedë intime me një punonjës të ambasadës amerikane. Unë, ca me të qeshur dhe ca me të vërtetë, i thashë se si kishte mundësi që miku i Shqipërisë bëhej mik dhe me shtetas të shtetit që konsiderohej armik i Shqipërisë. Ai nuk e bëri të gjatë dhe më tha se nuk kishte pasur ndonjë dëshirë që të takohej me punonjësin e ambasadës amerikane, po të mos e kishte ndalur ai vetë i pari.

Konkretisht, i nxitur nga një padurim dhe kuriozitet i madh, bile pa vënë re se çfarë po thosha unë, më thotë: ‘Më ndali një punonjës i ambasadës amerikane, teksa ishim në një takim biznesi dhe më pyeti se çfarë më lidhte aq shumë me ju shqiptarët. I thashë se asgjë më tepër, përveçse çështjeve të mia të biznesit.

Pas kësaj më thotë: ‘Në ambasadën tonë është një material tepër sekret i përpiluar nga CIA, i cili flet për një plan operacional të shkallës më të fshehtë dhe që në të është përfshirë edhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Në qoftë se dëshiron të njihesh me këtë gjë, për kuriozitet mund të të ndihmoj’. Kjo është e gjitha, nuk di si të veproj, si mendoni ju se duhet të bëjmë?

A ju intereson si shtet të njiheni me këtë gjë? Mua menjëherë më shkoi mendja se flitej për Mehmet Shehun, për të cilin ishte njohur tashmë akuza se ai kishte qenë agjent, madje jo i një, por i disa agjenturave dhe për këtë ishte shpallur armik. Por në një rast të tillë, kur ekzistonte konkretisht një dokument real dhe aq më shumë që ishte në ambasadën e shtetit ku unë shërbeja, më erdhi fare e papritur dhe të them të drejtën u shokova për disa çaste, por nuk e dhashë veten.

E pyeta Ferranin se çfarë pune bënte në ambasadën e shtetit të tij amerikani që po servirte një lajm të tillë. Përgjigjja e tij ishte se ai punonte pikërisht në arkivin e ambasadës, madje më tha dhe emrin e mbiemrin, por që mua më kujtohet se ai quhej Mendes…

Unë menjëherë njoftova Ministrinë tonë të Jashtme, madje vetë ministrin, Reis Malile. Pasi e mora miratimin, e thirra Ferranin dhe i dhashë porosi që të bënte shumë kujdes, por që duhej me patjetër të sillte tërë informacionin e materialit. Që nga ky moment, kishte filluar operacioni ynë i fshehtë për të marrë atë informacion tepër sekret, që lidhej me vendin tonë. Për këtë ishte në dijeni tashmë drejtuesi më i lartë i shtetit të atëhershëm, që nuk mund të diskutohet se e prisnin me padurim të jashtëzakonshëm.

Miku ynë argjentinas, Gerrado Ferrani, tashmë me mision të miratuar nga Tirana, madje edhe nga vetë Sigurimi i Fshehtë Shqiptar, u takua sërish me shokun e tij amerikan me emrin Mendes, me të cilin tashmë e kishte shtuar disi shoqërinë, madje kishte pirë edhe ndonjë kafe. Ai, sipas instruktimit që i kishim bërë ne, pasi e kishte mbajtur një kohë tepër të gjatë në shoqërinë e tij, si rastësisht i kishte kërkuar edhe një herë t’i tregonte për atë rastin e shkresës sekrete për çështjen shqiptare, se nuk ia merrte mendja që me CIA-n të përzihej një udhëheqës i lartë komunist i atij shteti…

Pas kësaj, sipas planit sekret, ai erdhi sërish tek unë për të sjellë atë çka kishte mësuar… Ajo detyrë që kishim marrë përsipër kishte kaluar në një ankth të madh edhe Tiranën zyrtare”.

Pyetjes së gazetarit se a mund të përbënte rrezik për Gerrado Ferranin ai veprim që kishte ndërmarrë, ambasadori Andoni i qe përgjigjur: “Patjetër që përbënte, pasi po të dekonspirohej qëllimi, qoftë dhe rastësisht, kur amerikani Mendes ta rikujtonte bisedën me ndonjë punonjës tjetër të ambasadës për atë çka kishte treguar dhe për interesin që tregonte Ferrani, nuk do të kalonte lehtë. Këtu fjala është se nuk të falte kush kur kaloje në shërbim të ndonjë sigurimi tjetër, aq më shumë kur flitej që t’i shërbeje një sigurimi të një shteti komunist”.

Ambasadori Andoni, pasi shtiu në dorë dokumentin që plotësonte kërkesën e urdhëruar nga Tirana, që të kishte edhe logon e ambasadës amerikane dhe të ishte i plotë dhe jo i cunguar, e solli atë në Tiranë, ku sipas ambasadorit në fjalë: “…në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me një padurim të jashtëzakonshëm dhe me derën hapur, sikur donte të shkurtonte sa më shumë kohën e marrjes të asaj letre të rëndësisë tepër të veçantë… ministri Malile, në mënyrë provokative më thotë…se si munda ta shtija në dorë një material të tillë me një thjeshtësi të habitshme… “Sidoqoftë, vazhdon zoti Andoni, pas dy ditësh më thërrasin sërish dhe më mbytën në lavde, duke e ngritur në qiell punën time, që sipas tyre ishte me vlera të mëdha, pasi u vinte kapak shumë hamendësimeve dhe diskutimeve që lidheshin me vetë figurën e njeriut të hekurt të udhëheqjes shqiptare, Mehmet Shehut”./ PANORAMA.al


Shtuar 25.02.2020 14:17