Atentati në Tushemisht, gjykata dënon të arrestuarit për një vepër tjetër penale

Gjykata e Pogradecit ka shpallur moskompetencën për arrestimin e Meardi Berberit, Anterio Kaloshit dhe pronarit të grazhdit në Lushnje, ku u gjetën armët e krimit, të cilët u arrestuan disa ditë më parë në Qesarekë.

Për të tre u dha masa e sigurisë ‘arrest me burg’ nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, por jo në lidhje me ngjarjen në Tushemisht.

Gjykata e Pogradecit ka shpallur moskompetencën për arrestimin e personave në lidhje me ngjarjen e Tushemishtit, pasi dosja i ka kaluar Gjykatës së Tiranës.

Si i shpëtoi Policisë në prill, Anterio Kaloshi, shoku i Bilbilit

Anterio Kaloshi i shpëtoi Policisë së Tiranës mesditën e 10 prillit, ku në pranga ra Orgest Bilbili.

Të dy këta persona ishin duke lëvizur në këmbë në periudhën e izolimit total të vendit, pa “Leje për dalje”.

Një efektiv Policie vuri re lëvizje të dyshimta të Bilbilit, i cili po lëvizte me kapuç dhe iu afrua për ta kontrolluar, por në momentin që i bëri thirrje ai u largua me shpejtësi.

Polici e ndoqi dhe më pas e qëlloi me plumb në këmbë për ta neutralizuar, duke bërë më pas të mundur edhe arrestimin e tij.

Kaloshi, i cili jetonte në një apartament me Bilbilin, arriti t’ia mbathë. Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira me firmën e Jurgena Xh., e dashura e Anterio Kaloshit, një pasaportë të këtij të fundit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përkiste Kaloshit.

Anterio Kaloshi ishte shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Lushnjë në vitin 2017. Në ngjarjen e tre viteve më parë u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.


Shtuar 16.08.2020 13:52