“Ajo vajza ishte e trembur, njësoj si Sebastiano”, detajet e errëta nga vrasja e Hekuran Billës

Adiola Lakra, 26-vjeçarja, që është arrestuar nga Policia si bashkëpunëtore në ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa te Komuna e Parisit mbrëmjen e 11 qershorit e kishte njohur viktimën në rrjetin social Instagram dhe prej një viti ishin në një lidhje intime. Profilin në Instagram Billa e kishte hapur vetëm 2 ditë pasi doli nga burgu me emrin Daja OTR.

26-vjeçarja është marrë në pyetje me argumentin për tu bërë bashkëpunëtore e drejtësisë dhe për të treguar nëse ka pasur dijeni për tentativa të tjera vrasje të Hekuran Billës.

Pasi u bënë miq në këtë rrjet social dhe shkëmbyen disa mesazhe, u takuan. Vajza ka treguar se me Hekuranin nuk kishte një lidhje të vazhdueshme, por frekuentoheshin herë pas here, kur Hekurani vinte në kryeqytet. Edhe mbrëmjen e 11 qershorit e kishin lënë për t’u takuar në zonën e Komunës së Parisit.

Për të vërtetuar përfshirjen e Adjola Lakrës në këtë ngjarje hetuesit janë ndihmuar nga dëshmitë e mikeshave të 26-vjeçares, të cilat faktojnë njohjen e saj me Billën dhe nga dëshmia e një punonjësi të një biznesi që jep makina me qira, i cili ka thënë se ka parë 26-vjeçaren së bashku me Sebastian Malin disa ditë pas krimit, raporton BW.

Vajza ka treguar për policinë se nuk ka pasur asnjë dijeni për planin e vrasjes dhe kur mësoi se Hekuran Billa ishte vrarë kishte mbyllur çdo rrjet social dhe kishte ndërruar numrin e telefonit. Pas arrestimit të mikut të saj, Sebastiano Mali, ajo ishte zhvendosur nga Tirana në Berat, ku jetonte në banesën e një shoqeje, aty ku edhe u arrestua.

Sipas vajzës mbrëmjen e 11 qershorit, dhe më herët ka biseduar për tu takuar me Hekuran Billën. Vetëm 40 minuta para se të ndodhte krimi ajo është telefonuar nga Hekuran Billa dhe i është lënë takim në zonën e Komunës së Parisit.

Ndërkohë, mësohet se vajza është implikuar në këtë ngjarje edhe nga një dëshmitar tjetër, punonjës i servisit, aty ku edhe Sebastian Mali mori me qira makinë në servis në zonën e Laprakës.

Mbrëmjen e 11 qershorit kur Mali ka shkuar për të lënë me qira dhe për të marrë automjetin tip Smart ka qenë një nga punonjësit e këtij servisi që i ka thënë policisë se ditën kur është dorëzuar njëri mjet dhe është marrë Smarti, Sebastian Mali ishte me një vajzë për të cilën i kishte pohuar se është e dashura e tij.

Kjo vajzë sipas dëshmitarit ishte futur menjëherë në automjetin Smart, sipas dëshmisë së tij vajza ishte e trembur njësoj si Sebastian Mali, raporton abcneës.


Shtuar 27.06.2020 11:52