31 të arrestuar për dëmet e tërmetit në Tiranë, publikohen hetimet

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranë, Elisabeta e Imeraj shoqëruar edhe me kreun e Policisë së Tiranës zbuluan sot detaje të operacionit të madh të ditës së djeshme dhe të sotme me 31 të arrestuar. Mes të arrestuarëve janë edhe ish-kryetaret e komunave ne Farkë dhe Kashar, Fatbardh Plaku dhe Besnik Fuçia sie dhe vartësit e tyre.

Gjatë fjalës së saj, Imeraj tha se hetimi nisi që më datë 27 nëntor duke marrë dokumentacionin e nevojshëm për zbulimin e shkeljeve që çuan të shpalljen e pabanueshme apo të dëmtuara të 124 banesave dhe 25 institucioneve.

“Prokuroria ka hetuar në disa drejtime siç është evidentimi dhe identifikimi i plotë i autoreve me detyrë në instituconet shtetërore që kanë lëshuar dokuemntacionin për dhënien elejeve dhe kolaudiumin e ndërtesave”, tha Imeraj duke shtuar se është marrë në konsideratë kolaudimi i çdo ndërtese të shpallur të pabanueshme.

“Gjetja e situatave në shkelje ka çuar në arrestimin e personave me akuzën e shpërdorimit të detyrës”, vijoi ajo duke theksuar se janë konstatuar edhe të dhëna fiktive në dokumentacionin përkatës të godinave.

Imeraj theksoi se kanë hetuar nëse ndërtuesit kanë zbatuar apo jo detajet e projektit.

“Këto janë arsyet që kemi kryer arrestimet gjatë ditës së djeshme”, tha ajo.

“Çdo banesë e cila është shpallur e pabanueshme, do të jetë objekt hetimi i mirëfiltë, por jo vetëm banesat e që janë shpallur të tilla, por edhe për të gjithë rastet e tjera, ku janë hasur dëmtime në banesa, denoncimet nga qytetarët”.

Ndërkohë, kreu i Policisë së Tiranës Rebani Jaupaj tha se kanë mbështetur prokurorinë në hetimet e saj.

Një ndër prokurorët e çështjes Erjon Imeraj theksoi se funksionarët e komunave kanë dhënë leje ndërtimin në shkelje të plotë të procedurave, ndërsa për një pjesë të mirë të ndërtesave mungojnë procesverbalet që kanë të bëjnë me procesin e ndërtimit të godines, siç është hedhja e betonit apo lidhja e hekurit.

Prokurori tha se hetimet do të shtrihen edhe në njësinë administrative Dajt dhe bashkinë e Kamzës.

Prokurorët i bënë thirrje qytetarëve që të bëjnë kallëzimet e tyre nëse kanë shtëpi të dëmtuara.


Shtuar 15.01.2020 13:12